Policia e Kosovës ka arrestuar dy ish-pjesëtarë të UÇK-së
Prishtinë, 26 prill - Policia e Kosovës ka arrestuar të martën dy ish-pjesëtarë të UÇK-së për shkak se nuk janë paraqitur në gjykatë.
Me kërkesë të Prokurorisë së EULEX-it, është arrestuar Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së dhe Sefedin Zukën nga Ferizaj, po ashtu ish-pjesëtar i UÇK-së. Që të dy janë dërguar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, raporton Telegrafi.
Misioni evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX-i kishte ftuar për 15 shkurt katër ish-pjesëtarë të UÇK-së që të paraqiten në seancë gjyqësore në lidhje me sulmin ndaj ndërtesës së Qeverisë, të bërë në korrik të vitit 2009, ndërsa protestonin për të drejtat e tyre.
Gjatë protestave u hodh një bombë molotovi drejt selisë së qeverisë, gjë që paraqet dëmtim të pronës dhe për këtë, sipas EULEX-it, ata duhet të paraqiten në gjykatë.
Ndërkohë EULEX-i ka lëshuar fletarrest edhe për shtatë ish-pjesëtarë të UÇK-së që morën pjesë në protestat para ndërtesës së Qeverisë.
Me herët, Qeriqi ka thënë se nuk do të paraqitet në gjykatë, sepse nuk i beson drejtësisë së EULEX-it.
Është proces gjyqësor i motivuar politikisht. Ne nuk do t`i përgjigjemi Prokurorisë së EULEX-it sepse është e njëanshme dhe punon për interesat e politikës vendore, pat thënë Xhevdet Qeriqi.