Policia e Kosovës gati për Interpol dhe Europol
Prishtinë, 26 prill - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, sot ka pritur në takim një delegacion po ashtu të lartë nga Gjermania, i kryesuar nga z.Johannes Schütze, i cili ishte i shoqëruar nga stafi i zyrtarëve të lartë të ardhshëm policor, nga provinca e veriut Rhine Westphalia.
Shpend Maxhuni fillimisht falënderoi z. Schütze për vizitën e delegacionit nga Gjermania dhe njëkohësisht gjatë takimit paraqiti një prezantim rreth historikut, organizimit, aktiviteteve dhe objektivave të Policisë së Kosovës.
Përveç tjerash në këtë takim të pranishmit u njoftuan edhe rreth bashkëpunimit policor rajonal e ndërkombëtar, migrimit ilegal, luftimit të krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Drejtori Maxhuni njoftoi delegacionin, se Policia e Kosovës tashmë ka dëshmuar veten se është e përgatitur të jetë pjesë e të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë policorë, si Interpol-i, Europol-i etj., që do të ndikonte edhe më shumë në parandalimin, luftimin e kriminalitetit, si në vend, rajon dhe më gjerë dhe se kjo mbetet ndër objektivat kyçe të PK-së.
Nga ana e tij z. z.Johannes Schütze falënderoi Policinë e Kosovës, në këtë rast drejtorin Maxhuni për pritjen e bërë si dhe për pasqyrimin e prezantuar të funksionimit, aktiviteteve dhe punës së Policisë së Kosovës.
Gjatë takimit, i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, z.Maxhuni dhe z.Schütze u zotuan për bashkëpunim të ndërsjellë edhe në të ardhmen.