Policia e Kosovës dhe Turqisë bashkëpunim të mirë
Vushtrri, 21 tetor Kryeshefi Ekzekutiv i Qendrës së Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim, Shermet Ahmeti priti sot zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë Kombëtare të Turqisë, Osman Çapali, udhëheqësin e Departamentit të Inteligjencës në Policinë Kombëtare Turke, Omer Altiparmak, zëvendës-udhëheqësin e këtij Departamenti, Sabedtin Akguç, si dhe mbikëqyrësin e Departamentit të Inteligjencës, Bilal Çankal.
Gjatë takimit kryeshefi Ekzekutiv, z. Sheremet Ahmeti e ka njoftuar delegacionin turk për punët dhe aktivitetet e Qendrës së Kosovës për Siguri Publike, si dhe kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit midis dy institucioneve të Kosovës dhe Turqisë.
Kryeshefi Ahmeti e ka falënderuar z. Çapali për angazhimin dhe ndihmën e vazhdueshme që Turqia po i bën Kosovës në të gjitha fushat, e posaçërisht në fushën e sigurisë.
Gjatë bisedës, kryeshefi Ahmeti e njoftoi delegacionin turk për të gjitha trajnimet që mbahen nga katër agjencionet e sigurisë publike në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim. Kryeshefi Ahmeti e ka njoftuar delegacionin turk edhe për projektet, të cilat priten të realizohen së shpejti, që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve trajnuese dhe akomoduese në Qendër.
Delegacioni turk u informua edhe për konceptin, vizionin, fazën e tranzicionit, akreditimit, legjislacionit, por edhe për sukseset dhe të arriturat e Qendrës së Kosovës për Siguri Publike, Edukim e Zhvillim. Po ashtu kryeshefi Ahmeti e ka njoftuar delegacionin turk se në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike trajnohen pjesëtarë të sigurisë publike jo vetëm nga Republika e Kosovës, por edhe nga vendet e rajonit.
Qëllimi ynë është që Qendra e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim të marrë karakter regjional në Evropën Juglindore për studime në fushën e sigurisë publike, pasi këtu ka pasur shumë pjesëtarë të agjencive të sigurisë publike nga vendet e rajonit si Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, tha kryeshefi Ahmeti.
Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Përgjitshëm i Policisë Kombëtare të Turqisë, Osman Çapali duke e falënderuar Ahmeti për pritjen, ka premtuar se policia dhe shteti turk do ta përkrahin vazhdimisht Policinë dhe shtetin e Kosovës. Çapali ka shfaqur shpresën se Qendra e Kosovës për Siguri Publike së shpejti do të bëhet Akademi Policore. Shpresoj se Qendra për Siguri Publike së shpejti do të bëhet Akademi Policore. Ne si polici dhe shtet turk jemi të gatshëm qe tu përkrahim në çdo aspekt, tha Çapali.