Policia e Kosovës arreston shtatë persona të dyshuar
Prishtinë, 10 dhjetor - Si rezultat i hetimeve intensive disa mujore të realizuara nga Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, të asistuara edhe nga njësitë mbështetëse operative policore, me datën 9 dhjetor, janë kryer bastisje në tetë lokacione të ndryshme të regjionit të Prishtinës dhe Ferizajt.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve policore janë arrestuar shtatë persona të dyshuar, të përfshirë në vepra të ndryshme penale si; krim i organizuar, kontrabandim me migrantë, falsifikim të dokumenteve dhe trafikim me narkotikë.
Gjatë realizimit të bastisjeve në dy lokacione të ndryshme, është zbuluar një laborator dhe një punëtori për prodhimin e dokumenteve ku janë gjetur qindra pasaporta dhe materiale për prodhimin e pasaportave të shteteve të ndryshme si; sllovene, finlandeze, çeke, bullgare, spanjolle dhe greke.
Në kuadër të dokumentacioneve të konfiskuara ka pasur edhe; leje qëndrime të shteteve të ndryshme si; zvicerane, greke, italiane, patentë shoferë të ndryshëm, diploma, certifikata dhe shkresa të ndryshme që dyshohet se janë të falsifikuara apo të përgatitura për falsifikim, një sasi e vogël narkotikëve të llojit marihuanë, 20 predha të cal.7.62, një shufër metalike etj.
Laboratori i zbuluar, referuar aparaturës dhe teknologjisë moderne, si dhe referuar pajisjeve moderne të konfiskuara vërehet se është shumë i sofistikuar për prodhim të dokumenteve të sofistikuara.
Gjatë hetimit të rastit Policia Kufitare ka identifikuar shumë shtetas kosovarë që janë pajisur me këto lloj dokumentesh, duke u dëmtuar materialisht edhe juridikisht , pasi që ndaj çdo poseduesi të dokumentit të falsifikuar iniciohet procedurë penale.
Andaj Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të kenë kujdes dhe të mos bien pre e mashtrimeve të këtilla.
Operacioni policor është realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe personat e ndaluar janë dërguar në mbajtje.