29 Prill 2024

Policia e Kosovës arreston dy persona të dyshuar

Prishtinë, 20 maj - Policia e Kosovës bazuar në informacionet operativo hetimore, ka realizuar një operacion policor në shkallë vendi, me qëllimin e gjetjes dhe lokalizimit të vendndodhjes së dy personave të dyshuar shtetas të Serbisë, për dyshimin e bazuar se janë të përfshirë në vepra kriminale.

Me 19.05.2013 Policia e Kosovës, konkretisht njësitet policore nga drejtoria rajonale Pejë, gjatë realizimit të planit policor, në rrugën “Nënë Tereza” në Pejë kanë ndaluar një automjet në të cilin gjendeshin dy persona të cilët nuk posedonin dokumente identifikimi.

Gjatë realizimit të kontrollit policor është vërejtur se dy personat e dyshuar shtetas të Serbisë nuk posedonin asnjë dokument të identifikimit dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtutjeshme të identifikimit.

Njësitet policore gjatë realizimit të kontrollit tek njëri nga personat e dyshuar, kanë arritur të konfiskojnë një sasi të vogël të substancave narkotike që dyshohet të jetë e llojit marihuanë.

Personat e dyshuar janë ndaluar nga Policia e Kosovës me dyshimin e bazuar për veprat penale “kalim ilegal i kufirit”, “fshehje e identitetit” dhe “posedim i substancave narkotike”.

Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori i  Prokurorisë së Shtetit dhe Policia e Kosovës është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore konform autorizimeve ligjore, lidhur me hetimin dhe ndriçimin e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me personat e dyshuar.