Policia e cilëson të suksesshme fushatën kundër trafikimit
Prishtinë, 5 korrik - Fushata dy mujore kundër përdorimit dhe trafikimit të drogës Mos i mbyll sytë, organizuar nga policia e Kosovës dhe ajo e Eulexit, ka rezultuar e suksesshme, si dhe ka pasur efekt të mirë te opinioni.
Kështu deklaruan zyrtarët policor gjatë prezantimit të rezultatit për 6 mujorin e parë të këtij viti si dhe në veçanti 2 mujorin e fushatës.
Bahri Shala, shef i Drejtorisë kundër trafikimit të drogës, tha se gjatë dy muajve janë hapur 45 raste dhe janë arrestuar 83 persona, derisa janë konfiskuar rreth 6.5 kilogram heroinë dhe rreth 48 kilogram marihuanë.
Në këtë 6 mujor ka pasur edhe të dënuar për trafikim me narkotik. Ndërsa Oliver Hoffman nga Eulexi tha se bashkëpunimi me policinë e Kosovës për luftimin e kësaj dukurie është shumë i mirë, por për sukses më të madh duhet edhe ndihma e qytetarëve, të cilëve u bëri thirrje që të denoncojnë ata që merren me narkotikë.
Ai tha se edhe në bazë të raporteve ndërkombëtare, Kosova është vend tranzit i drogës, por po mundohen që ta bëjnë një ambient të pamundur për trafikantët e drogës.
Hoffman, tha se edhe në veri të Kosovës është duke punuar TASK Forca e Eulexit, kundër narkotikëve, duke mos dhënë ndonjë shifër konkrete, derisa Bahri Shala nga Policia e Kosovës tha se këtë 6 mujor, në rajonin e Mitrovicës janë të hapura 9 raste dhe janë të arrestuar 14 persona, ku sipas tij, ka edhe nga veriu i Mitrovicës.