Policia dhe UNDP do të shkatërrojnë municion
Prishtinë, 12 nëntor - Sot në Golesh-Sllatinë, Policia e Kosovës dhe UNDP do të organizojnë shkatërrimin publik të municionit nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Gjithashtu, do të bëhet edhe certifikimi i 20 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për shkatërrim të municionit dhe mjeteve piroteknike.
Ky donacion është mundësuar nga zyra Gjermane e Punëve të Jashtme dhe është pjesë e përkrahjes së vazhdueshme të projektit të UNDP-së, FERM për Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Kontrollin dhe Grumbullimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (SALW). Projekti FERM është vazhdimësi e projektit të UNDP-së KOSSAC i cili për 7 vite rresht dha mbështetje në këtë fushë.
Në këtë ceremoni do të marrin pjesë: Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, Shpend Maxhuni, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Henriette Kötter, sekretarja e parë pranë Ambasadës Gjermane dhe Alessandra Roccasalvo, zëvendës-përfaqësuese e Përhershme UNDP-së.
Trajnimi është mbajtur nga ekspertë të kompanisë britanike Explosives Capabilities Limited, kompani e njohur botërisht në këtë fushë, e angazhuar enkas nga ana e UNDP-së.