Policia dhe doganierët vendosen në pikat kufitare në veri
Prishtinë, 16 shtator - Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka konfirmuar për mediat vendore se doganierët dhe policët kufitarë janë vendosur në Jarinë dhe ka paralajmëruar veprim të ngjashëm edhe në Bërnjak.
Fillimisht, këta pjesëtarë, të shoqëruar edhe nga njësitet elite të policisë speciale, ishin pozicionuar mbrëmë në bazën e KFOR-it, Nothing Hill, në Leposaviq.
Marrë parasysh se rrugët në veri, përfshirë edhe ato magjistrale që çojnë kah portat 1 dhe 31 janë të bllokuara, dërgimi i pjesëtarëve të organeve të Kosovës në pikat kufitare besohet se mund të realizohet vetëm përmes helikopterëve të KFOR-it.
Edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi ka thënë për mediet serbe se policët dhe doganierët e Kosovës janë tashmë në dy pikat kufitare, 1 dhe 31 të Kosovës bashkë me policët e EULEX-it.