Policia bastisi e shtëpinë e Vujinoviç-it në Veri
Mitrovicë, 6 janar - Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë e Igor Vujinoviq, shef i organizatës nacionaliste serbe `Otagjbina', e cila ndodhet në rrugën "Rugjer Boshkoviq" në veri të Mitrovicës.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar sasi e konsideruar e dokumenteve nacionaliste dhe materialit propagandues, vulë, kompjuter dhe telefon celular. Sipas burimit, Vujinoviq ka udhëhequr më herët edhe grupin `Obraz' në veri.
Bastisja është realizuar të mërkurën rreth orës 21:00, në kërkim të provave në lidhshmëri me informatat e mbledhura operative për mundësi të gjetjes së materialit propagandues dhe nacionalist.
Sipas zëdhënësit të policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, policia e Kosovës ka realizuar bastisjen, nën dyshimin e përfshirjes së Vujinoviq në shpërndarje të materialit të ndryshëm propagandues kundër institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare, përfshirë edhe individë të përkatësisë etnike serbe.
"Hetimet shtesë lidhur me përfshirjen e të dyshuarit në këtë rast, do të ndiqen nga hetuesit policor të stacionit veri në bashkëveprim me hetuesit rajonal të policisë së Kosovës në Mitrovicë ndërsa vepra penale do të ri-kualifikohet në bashkëpunim me prokurorin e çështjes", ka thënë Hoti.