Policia arreston tre të dyshuar dhe konfiskon 17 kg marihuanë
Prishtinë, 10 janar - Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotik në dy operacione të ndara ka konfiskuar mbi 17 kg substancë narkotike që dyshohen të jenë të llojit marihuanë.
Operacionit policor të koduar Thëllëza që u zhvillua mbrëmë (09.01.2013) rreth orës 20:30 në Prishtinë, i parapriu një punë hetimore dhe operative nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN-së) e Policisë së Kosovës.
Zyrtarët policorë së pari kanë identifikuar dy të dyshuar me veturën e llojit Reno Clio në rrugën Bajram Bahtiri në Prishtinë dhe gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit është gjetur një sasi e dyshuar e substancave narkotike e llojit marihuanë.
Gjatë operacionit me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë është bastisur një lokacion në Prishtinë i cili dhe ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve dhe konfiskimin e 14 kg e 526 gram substancë narkotike e llojit marihuanë.
Rasti tjetër është lajmëruar dje (09.01.2013) rreth orës 22:30 në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë me ç`rast është arrestuar një femër e dyshuar dhe janë konfiskuar 2 kg e 537g substancë narkotike e llojit marihuanë.
Si rezultat i këtyre dy operacioneve policore janë arrestuar tre të dyshuar: B. K. - i lindur më 1976, M.M - i lindur më 1974 dhe T. H. - e lindur më 1990.
Policia e Kosovës në të dy operacionet në total ka konfiskuar: 17kg e 63 gramë marihuanë dhe një veturë.
Personave të arrestuar në konsultim me prokurorin kompetent u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.