Policia arreston pesë të dyshuar për trafikim me njerëz
Prishtinë, 29 tetor - Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në dy operacione të ndara, të cilat i ka realizuar me datën 28 tetor 2015, ka bërë arrestimin e pesë personave të dyshuar, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale trafikim me njerëz dhe mundësim apo detyrim në prostitucion, si dhe kanë identifikuar dy viktima të trafikimit.
Gjatë operacionit policor të realizuar në rajonin e Mitrovicës, është arrestuar një person, pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale trafikim me njerëz dhe mbajtje në pronësi të paautorizuar të armës dhe keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare. Personi i arrestuar në këtë rast është: M. S. lindur me 1967.
Lidhur me këtë rast janë identifikuar dy viktima të trafikimit, të cilat janë duke u trajtuar sipas procedurave standarde për ndihmë dhe mbrojtje të viktimave.
Gjatë këtij operacioni policor është bërë edhe kontrollimi i shtëpisë së të dyshuarit, ku në cilësi të provave materiale janë konfiskuar: një armë revole, një lap-top dhe dy telefona mobilë
Operacioni tjetër policor është realizuar në rajonin e Pejës, me 28 tetor 2015, në të cilin janë arrestuar katër persona, nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale mundësim apo detyrim në prostitucion dhe marrje me prostitucion.
Personat e arrestuar në këtë rast janë: N. Gj. lindur me 1961; P. B. lindur me 1992; N. K. lindur me 1965 dhe Zh. Q. lindur me 1967.
Të gjitha veprimet policore janë kryer me autorizimin e prokurorëve përkatës, kurse ndaj pesë personave të arrestuar është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, për të vazhduar me procedurat e tjera hetimore.