Policia arreston një person për keqpërdorim të pozitës zyrtare
Prishtinë, 27 tetor - Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas një pune hetimore lidhur me një rast për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, ka bërë arrestimin e një personi të dyshuar në rajonin e Prishtinës.
I dyshuari i arrestuar sipas policisë dyshohet të ketë kryer veprën penale keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar Neni 422, i cili dyshohet se ka nxjerrë një vendim të kundërligjshëm për anulimin e një tenderi, që nuk përkon me Ligjin e prokurimit publik.
I njëjti dyshohet se nuk i ka përfillur vendimet e OSHP-së, duke lënë kështu pezull procedurën tenderuese.
Pas prezantimit të lëndës te prokurori, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.