Policia arreston dy persona për shitje të narkotikëve
Prishtinë, 6 tetor - Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimi me Narkotikë, me datën 5 tetor 2016, ka realizuar një operacion policor, nën dyshimin e bazuar se në një shtëpi në lagjen Velania një i dyshuar posedon një sasi të substancave narkotike, si dhe posedon armë e municion.
Operacioni policor është realizuar edhe në bashkëpunim me Njësinë për Reagim të Shpejtë, me çrast Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar, nën dyshimin e bazuar se po kryenin veprat penale blerje, posedim, shitje ose shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge nga neni-273, dhe mbajtje në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374.
Të dyshuarit e arrestuar në këtë rast janë: A. P. lindur me 1996 dhe S. L. lindur me 1996 nga Shqipëria.
Me urdhëresë të Gjykatës Themelore është bërë bastisja e të dyshuarve, ku në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar: dy armë automatike AK47; 4 karikatorë të automatikut AK47; 86 copë fishekë; një revole 7.62 mm M57 me dy karikatorë dhe 19 fishekë; substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë 448.9 gramë dhe 3 telefona celularë.
Me aktvendim të prokurorit të dyshuarit dërgohen në qendrën e mbajtjes per procedura të mëtejme.