Policia arreston dy persona për Kanosje brenda në xhami
Pejë, 25 mars - Policia e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 12:30, zyrtarët policor të stacionit policor në Klinë të Pejës, kanë pranuar një informacion për një rast Kanosje i cili kishte ndodhur në xhamin e qytetit të Klinës.
Zyrtarët policor të njësitit patrullues dhe zyrtarët policor të hetimeve kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore duke ju përgjigjur këtij informacioni dhe në vendngjarje kanë takuar palën ankuese, i cili ka deklaruar se dy persona të dyshuar pas faljes së namazit e kishin kërcënuar përmes shenjave kërcënuese - prerje në fyt.
Bazuar në deklaratën e tij si dhe bazuar në informacionet e pranuara përmes një dëshmitari, zyrtarët policor kanë arritur që ta identifikojnë njërin prej të dyshuarve (F. K. nga Komuna e Klinës), i cili më pas është arrestuar.
Policia e Kosovës përmes njësiteve të saja relevante është vënë edhe në kërkim të personit të dytë të dyshuar (L.B. po ashtu nga Komuna e Klinës), i cili pas disa orëve të kërkimit të tij, diku rreth orës 19:20 është arritur që të arrestohet dhe të dërgohet në stacionin policor.
Vlen të potencohet se i dyshuari i parë (F.K.) pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit është liruar në procedurë të rregullt, përderisa i dyshuari i dytë (L.B) është në procedure të intervistimit dhe pritet vendimi i prokurorit përkatës për procedura të mëtutjeshme.