Policia arreston deputeten Donika Kadaj Bujupi
Prishtinë, 3 mars - Policia e Kosovës ka bërë të ditur se bazuar në mandatin ligjor që ka është e obliguar në zbatimin e urdhërarresteve të ligjshme të lëshuara nga organet e drejtësisë dhe bazuar në këtë, sot gjatë ditës ka realizuar zbatimin e një urdhërarresti në PKK-Hani i Elezit.
Njësitet relevante policore kufitare sipas njoftimit bazuar në urdhëresë, kanë ndaluar deputeten e RKS-së znj.Donika Kadaj Bujupi, të cilën e kanë njoftuar mbi arsyen e ndalimit dhe bazuar në urdhëresë e njëjta do të shoqërohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
"Vlen të potencohet se znj. D. (K.) B., ka bashkëpunuar dhe kooperuar mirë me zyrtarët policorë dhe e njëjta do të shoqërohet në gjykatë, ashtu siç parashihet me urdhëresë", thekson policia.
Ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se arrestimi i saj është bërë për vepra të mëhershme dhe është skandal i papranueshëm.
"Ky arrestim, në kohën kur paralajmërohet sjellja e demarkacionit në Kuvend, është provokim i situatës."
"Sjellja e këtij pushteti përballë opozitës është bërë e patolerueshme. Këto veprime të padrejta të një pushteti kriminal do ta tensionojnë situatën", thekson VV.