Policia arreston 4 zyrtar te marketingut në PTK
Prishtinë, 9 mars - Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit - Sektori për Hetimin e Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore sot ka arrestuar katër persona të dyshuar zyrtarë në Telekomin e Kosovës; një mashkull dhe tri femra kosovar-e, me iniciale K.J., F.J., M.P., dhe Sh. Sh., të cilët dyshohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë zbatimit të Marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirave për reklama e lidhur në mes të Telekomit të Kosovës dhe një Kompanie të nënshkruar në vitin 2018.
Të dyshuarit duke vepruar në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare përkundër faktit se kjo marrëveshje nuk ishte realizuar kanë nënshkruar raporte për përmbushje të kontratës me përmbajtje të rreme dhe me këtë i kanë mundësuar të dyshuarit me iniciale (R. K.) pronar i kompanisë përfitim të kundërligjshëm në vlerë mbi 100,000.00 (Njëqind mijë euro).
I dyshuari i lartcekur (R. K.) pronari i kompanisë i është shmangur paraqitjes në polici dhe i njëjti është në kërkim policor.
Të dyshuarit e arrestuar pas intervistimit me aktvendim të Prokurorit të Shtetit ndalohen për 48 orë, për procedura të mëtejme.