Policia arreston 4 persona për trafikim me njerëz
Prishtinë, 12 prill - Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, NJHTQNJ në Mitrovicë kanë bërë arrestimin e katër personave të dyshuar, nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale ‘trafikim me njerëz’, ‘shërbime seksuale të trafikimit’, ‘keqpërdorim seksual nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare’, ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Personat e arrestuar lidhur me këtë rast janë: Y. Q. i lindur me 1993; E. E. i lindur me 1992; A. Xh. i lindur me 1989 dhe A. G. i lindur me 1986.
Pas një hetimi të zhvilluar nga njësitet policore të PK-së dhe në zbatim të urdhëresës së gjykatës për kontroll janë kontrolluar dy lokacione shtëpi të të dyshuarve, ku është arrestuar i dyshuari i parë nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘trafikim me njerëz’ kurse tre të dyshimtët e tjerë janë arrestuar nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘shërbimet seksuale të trafikimit’.
Gjatë kontrollit në lokacione të caktuara në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe janë konfiskuar: 12 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Me këtë rast janë identifikuar edhe dy viktima të trafikimit të cilave u është ofruar ndihma sipas procedurave standarde vepruese për kujdesin ndaj viktimave të trafikimit.
Me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelor katër të arrestuarit ndalohen për 48 orë.