Policia arreston 11 persona për rastin e sim to sim
Prishtinë, 10 dhjetor - Operacioni i koduar "Sim to Sim", i filluar dje nga Policia e Kosovës, ka rezultuar me arrestimin e 11 personave, me dyshimin e bazuar për aktivitet të kundërligjshëm, krim të organizuar, vjedhje të rëndë, si dhe tregti të ndaluar.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës gjatë një konference për media të premten kanë thënë se pajisjet e konfiskuara, sipas një vlerësimi të bërë nga ekspertët, kalojnë vlerën mbi 1 milion euro, kurse vlera e shkaktuar me kryerjen e këtyre veprave penale llogaritet të jetë 450 mijë euro në muaj, që do të thotë për 4 vjet 21.6 milionë euro.
Ky vlerësim është bërë nga një kompani ndërkombëtare, mirëpo sipas zyrtarëve policor nuk do të thotë që ky vlerësim është i saktë, pasi që operacioni pritet të vazhdojë.
Arbër Beka, nga zyra për informim në Policinë e Kosovës, ka thënë se në këtë operacion kanë qenë një numër i madh i zyrtarëve policor nga njësite të ndryshme, ku kanë arritur të arrestojnë 11 persona të dyshuar.
Personat e arrestuar janë Fatmir K. Gjilan, Artan A. Gjilan, Nexhat U. Prishtinë, Burim Sh. Gjilan, Latif G. Prishtinë, Driton F. Fushë Kosovë, Edon A. Prishtinë, Miftar L. Mitrovicë, Bekim K. Gjilan, Nastret H. Mitrovicë, si dhe Bashkim F. nga Peja.
Nga ana tjetër drejtori i drejtorisë nga Hetimet të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Agron Nezaj ka thënë se para një viti ka filluar së hetuari rastin e quajtur Sim to Sim apo determinimin e impulsave telefonik që ka të bëjë me Postë Telekomunikacionin e Kosovës, respektivisht dy kompani mobile Vala dhe Ipko.
Sipas tij kompanitë mobile dëmtohen rreth 50 % për çdo thirrje ndërkombëtare që vjen në Kosovë. Çdo thirrje ndërkombëtare që bëhet në Kosovë Vala përfiton 0.14 cent për minutë, kurse realizimin e fenomenit Sim to Sim humbin 0.7 cent.