Policët në grevë, kërkojnë rritjen e rrogave
Prishtinë, 3 shkurt - Policia e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se sot në orët pasdites disa zyrtarë policor të Departamentit të Njësive të Specializuara janë tubuar në Qendrën e Trajnimit të Kishnicës, për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me sistemin e ri të pagave.
Këto njësi sipas njoftimit të policisë kanë pritur shtesa më të larta nga sistemi i ri i pagave dhe si rezultat i saj janë tubuar për të shprehur pakënaqësitë e tyre.
"Puna policore dhe angazhimet e tyre në detyra ditore nuk është ndërprerë, ata ju përgjigjen detyrave të caktuara, por zyrtarët policorë të cilët janë jashtë detyrës zyrtare po shprehin pakënaqësitë e tyre", thuhet në njoftim.
Menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës ka formuar një grup punues për Ri-shikimin e Sistemit të ri të pagave, ku për ndonjë lëshim teknik eventual të mundshëm, në mënyrë Retroaktive do tu bëhet kompensimi i mjeteve.
Zëvendës Ministri i Punëve të Brendshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe Ndihmësdrejtori për Operativë menjëherë kanë shkuar për ti vizituar dhe për të komunikuar me zyrtaret policorë lidhur me kërkesat e tyre dhe për mënyrën e zgjidhjes së kësaj pakënaqësie të shfaqur.
Po ashtu, sot janë mbajtur disa takime dhe diskutime në mes të menaxhmentit të lartë të policisë, Sindikatës së policisë, udhëheqësit e njësive përkatëse, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Qeverisë për arritjen e tejkalimit të kësaj situate.