Policët antikrim rrëzohen nga AKI-ja
Prishtinë, 21 gusht - Një pjesë e zyrtarëve më të lartë të Policisë së Kosovës nga të cilët shteti ka pritur që ta luftojnë krimin ekonomik dhe korrupsionin janë diagnostikuar si të dyshimtë dhe të padenjë nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës.
Nën llupën e AKI-së kanë qenë Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar, Drejtoria e Krimeve të Rënda, Drejtoria Kundër Krimeve Ekonomike dhe korrupsionit, Njësia kundër Terrorizmit, Drejtoria e Analizës së Krimit dhe Drejtoria e Forenzikës, shkruan Tribuna.
Rezultatet që ka nxjerrë AKI-ja për zyrtarët e këtyre drejtorive në Policinë e Kosovës kanë dalë tejet negative dhe për këtë janë shqetësuar krerët më të lartë të vendit.
AKI-ja i ka identifikuar 15 zyrtarë të lartë në këta sektor të Policisë, si të papërshtatshëm për funksionet që janë duke i kryer.
Emrat e këtyre zyrtarëve i posedon Tribuna dhe të njëjtit i janë dorëzuar prej një muaji edhe drejtorit të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.
/Tribuna/