Polica serbe kontrollojnë veriun
Pritshtinë, 2 maj - Nga droja e intervenimit të forcave speciale të policisë së Kosovës, serbët e veriut kanë ndërruar rojet në fshatin Zupç të komunës së Zubin Potokut, në Rudar afër Zveçanit, në qendër të Leposaviqit dhe në fshatin Soqanic afër Leposaviqit, pikërisht në ditën kur kryeministri serb Ivica Daçiq nënshkroi marrëveshjen me kryeministrin Hashim Thaçi.
Kamionët dhe drutë në rrugë si dhe dhjetëra punëtorë të mbrojtjes civile që bëjnë roje ditë e natë duke përcjellë lëvizjet e KFOR-it dhe EULEX-it, janë tregues se serbët e asaj ane nuk do lejojnë zbatimin e asaj që kanë arritur dy kryeministrat më 19 prill.
Burime të \"Tribunës\" nga katër komunat në veri të Ibrit bëjnë të ditur se gjatë ditëve të fundit në rrugët e Zubin Potokut, Mitrovicës, Leposaviqit dhe Zveçanit, janë vërejtur njerëz që deri më sot nuk janë parë në këtë territor.
I njoh të gjithë vendasit por këta nuk po i njoh. Gjatë ditës qëndrojnë në rrugë dhe bisedojnë me ne ndërsa natën nuk i shoh. Natën siç më kanë treguar komshinjtë, ata njerëz të armatosur shkojnë në kodra dhe në mëngjes sërish kthehen, ka thënë një banor i Leposaviqit.
I pyetur nëse bëhet fjalë për policët e ardhur nga Serbia, ai është përgjigjur pozitivisht, duke thënë shkurt: Po, është xhandarmeria serbe.