15 Janar 2025

Pesë policë të vrarë në Kumanovë

Shkup, 9 maj - Ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, në një konferencë për shtyp ka konfirmuar vrasjen e pesë policëve maqedonas gjatë aksionit policor që është zhvilluar të shtunën në Kumanovë.

“Bëhet fjalë për Zharko Kuzmanovski nga Bërvenica 32 vjeçar, Sasho Samoilovski nga Tetova 32 vjeçar, Nenad Serafimofski nga fshati Zubovcë e Gostivarit” tha Jankullovska duke mos përmendur emrin e dy policëve të tjerë që humbën jetën.

“Ka edhe viktima nga ana e terorristëve por nuk kemi numër të saktë. Pas 16 orë lufte, terorristët bënin rezistencë të madhe” tha Jankullovska. Grupi i parë prej 20 personave që është fshehur në bodrume shtëpiake, u dorëzuan këtë pasdite, informoi ajo.

“Me këto persona do të zhvillohen biseda informative dhe do tu bëhet ekspertiza me doreza të parafint. Grupi i dytë gjatë kohë refuzonte të dorëzohej, ndërsa aksioni ende nuk është kryer.

Jankullovska gjatë konferencës njoftoi se forcat policore edhe më tej mbeten të pozicionuara në Kumanovë, në pikat strategjike ngase sipas saj vlerësohet se  gjendja akoma është e rrezikut të lartë.

Në qendrën klinike në Shkup ku ndalohet hyrja e mediave, janë sjellë 17 të lënduar me helikopterë dhe automjetin e ambulantës.

Aksioni në Kumanovë është ndërmarrë për shkak të shkatërrimit të një grupi mirë të armatosur, që ka përgatitur sulme ndaj institucioneve shtetërore, tha zëdhënësi Ivo Kotevski në konferencën e sotme të shtypit.
Ndërkaq, deputeti i Zonës, Rexhail Ismaili, ka bërë thirrje për gjakftohtësi dhe që të mos krijohet panik.

“Apelojmë te popullata shqiptare e Kumanovës dhe Likovës që të jetë e vëmendshme gjatë kësaj situate të rëndë, e cila po mbretëron për momentin. Njëherësh luten të mos i lëshojnë shtëpitë e tyre dhe të mos bëhen pre e provokimeve dhe pazareve të ndryshme”, ka thënë Ismaili.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup ka lëshuar një deklaratë për media, duke shprehur keqardhje për, siç ka thënë, humbjen e jetëve nga aksionet e armatosura në Kumanovë.

“Na vjen keq për humbjen e jetëve të njerëzve dhe shprehim ngushëllimet më të thella për familjet e të vrarëve dhe të plagosurve. Ne po monitorojmë situatën dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet dhe liderët politikë. U bëjmë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të lejojnë verifikimin e të dhënave”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane në Shkup.

Në lidhje me përleshjet e së shtunës dhe incidentin në Kumanovë, ka reaguar edhe zyra e Bashkimit Evropian në Shkup.

“Jemi në kontakt me autoritetet dhe me partitë politike. Fuqishëm bëjmë thirrje te të gjithë qytetarët dhe faktorët politikë që të qëndrojnë të qetë dhe të presin që qeveritarët relevantë të tregojnë faktet dhe të sqarojnë atë që po ndodh. Shpresojmë që do të shmanget përshkallëzimi i situatës dhe tensioneve”, theksohet në reagimin e Delegacionit të BE-së.

Nga ana tjetër, partia e Bashkimit Demokratik për Integrim, e cila është pjesë e Qeverisë, nëpërmjet një komunikate me shkrim, ka njoftuar se me shqetësim të thellë po ndjek zhvillimet e së shtunës në Kumanovë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve për përmbajtje, ruajtje të gjakftohtësisë dhe që të mos bien pre e provokimeve.

“Bashkimi Demokratik për Integrim gjykon që zhvillimet e sotme në Kumanovë, por edhe ato të mëhershmet në Goshincë, si dhe shpërthimi para selisë së BDI-së dhe të tjera, janë veprime në kundërshtim të plotë me përcaktimet strategjike të kombit shqiptar, si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë, Shqipëri dhe Luginë të Preshevës”, theksohet në komunikatën e BDI-së, ku shprehet bindja se “asnjë destabilizim i vendit nuk është në interes të kombit shqiptar në rajon”.

Ndërkohë, lideri i partisë maqedonase në opozitë, LSDM, Zoran Zaev, i ka bërë thirrje kryeministrit Nikolla Gruevski që menjëherë të dalë para qytetarëve dhe të japë sqarime, kush, pse dhe me çfarë qëllimi po e destabilizon Maqedoninë.

“Pse grupe kriminale nga territoret e vendeve tjera fqinje hyjnë në Maqedoni? Kush i organizon dhe për çfarë qëllimi? Të njëjtën duhet ta bëjë edhe Ali Ahmeti. Viktima janë qytetarët - edhe maqedonasit, edhe shqiptarët, edhe policët, edhe popullata civile”, ka theksuar Zaev.

Edhe Partia Demokratike Shqiptare, nëpërmjet një komunikate, ka ftuar qytetarët që ta ruajnë qetësinë dhe në asnjë mënyrë të mos bien pre e provokimeve:

“Partia Demokratike Shqiptare, konform pozicionit momental politik që ka si opozitë, kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe institucionet e tjera qeveritare të involvuara në këtë situatë, që me veprimet e tyre në asnjë mënyrë të mos cenojnë jetën dhe pronën e qytetarëve”.

Në rajonin malor të Kumanovës, kohë më parë, kishte ndodhur edhe një incident tjetër, pasi persona të armatosur, të prezantuar si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), sipas policisë maqedonase, kanë sulmuar një stacion policie në fshatin Goshincë, në kufirin Maqedoni-Kosovë.

Rasti është vlerësuar si akt terrorizmi nga Qeveria e Maqedonisë, por opozita ka thënë se bëhet fjalë për skenarë të përgatitur për të shpërqendruar vëmendjen pas situatës së krijuar nga audio-incizimet e publikuara nga lideri i opozitës, Zoran Zaev, për të cilat ai thotë se janë bisedime të përgjuara paligjshëm nga ana e Qeverisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)