Përvoja e Britanisë në sundimin e ligjit e dobishme për Kosovën
Londër, 3 tetor - Në vazhdën e vizitës në Britaninë e Madhe, Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, sot është takuar me Sir Oliver Heald, Ministër i Shtetit për Gjykata dhe Drejtësi me të cilin kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit me Britaninë e Madhe në fushën e drejtësisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit.
Ministrja Hoxha ka shprehur përkushtimin e saj për të ndërmarrë reformat përkatëse në sistemin e drejtësisë me qëllim të fuqizimit të sundimit të ligjit.
Gjatë takimit, Ministrja Hoxha vuri theks të veçantë në prioritetet e saj gjatë këtij mandati siç janë rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit, rritja e llogaridhënies për gjyqësorin, ndryshimet e nevojshme legjislative si dhe reformat në sistemin e burgjeve.
Ministri i Shtetit për Drejtësi shprehu mirënjohjen për punën që ka bërë tani Ministrja Hoxha në funksion të reformimit të sistemit të drejtësisë.
Po ashtu Ministri Heald, shprehu përkushtimin e Britanisë së Madhe dhe ministrisë që drejton për të mbështetur Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Kosovës në të gjitha sferat ku është e nevojshme.
Ministri Heald vlerësoi se përvoja që ka ndërtuar Britania e Madhe në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit mund të jetë e dobishme për reformat në Kosovë.
Ministrja Hoxha po qëndron në Londër me ftesë të Sekretares së Shtetit për Drejtësi të Britanisë së Madhe, Liz Truss për të marr pjesë në ceremoninë e hapjes së vitit ligjor për Anglinë dhe Uellsin.
Kjo ceremoni mbledh krerët e Drejtësisë në botë, duke përfshirë këtu ministra të Drejtësisë të Evropës dhe Botës, gjyqtarë të gjykatave ndërkombëtare, avokatë e kontribuues të shquar të Drejtësisë në Botë.