Përurohet stacioni policor i Ranillugut
Prishtinë, 31 maj - Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, së bashku me zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës Naim Rexha, kanë vizituar Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Gjilan.
Ata janë pritur nga zëvendësdrejtori i drejtorisë rajonale në Gjilan nënkolonel Shaban Azizi.
Nënkolonel Azizi i ka njoftuar me punën dhe aktivitetet policore në rajonin e Gjilanit, si dhe me implementimin e strategjisë nacionale Policia ne Bashkësi, implementimi i se cilës është një ndër prioritet e drejtorisë rajonale të Gjilanit.
Ministri Bajram Rexhepi së bashku me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të policisë Naim Rexha kanë shprehur mbështetjen dhe përkrahjen nga Ministria dhe menaxhmenti i Policisë për punën e realizuar nga kjo drejtori, ku më pas të njëjtit kanë vazhduar vizitën në komunën e Ranillugut.
Në Ranillug në prani të komandantit të stacionit policor, toger Nebojsha Popovic, dhe kryetarit të komunës Gradimir Mikic, është përuruar stacioni policor i Ranillugut.
Në fjalën e rastit z. Rexhepi ka përgëzuar Policinë e Kosovës për punën e mirë që po kryen. Ai me tej ka theksuar se përbërja shumë etnike ndihmon për të krijuar kushte për një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët.
Edhe kryetari i komunës ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe është shprehur se puna që po bën policia në këtë anë vërtet është për çdo lëvdatë.
Të pranishmit kanë vizituar edhe hapësirat e objektit të ri ku është parë se vërtet është një objekt me standarde bashkëkohore dhe se ofron kushte për një punë të kënaqshme.