Përurohet Qendra për Pajisje me Dokumente në Obiliq
Prishtinë, 13 gusht - Në komunën e Obiliqit është bërë përurimi i ndërtesës së re të Qendrës për Pajisje me Dokumente ku qytetarët mund të kryejnë shërbimet për aplikim dhe pajisje me letërnjoftim, patentë-shofer dhe regjistrim të veturave.
Po ashtu, në këtë Qendër do të vendoset edhe shërbimi i gjendjes civile.
Në këtë ceremoni mori pjesë ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Bejtush Gashi dhe kryetari i Komunës së Obiliqit, z. Xhafer Gashi.
Ministri Gashi tha se është një mundësi e mirë për qytetarët e Obiliqit, të cilët tashmë do të mund të kryejnë shërbimet për pajisje me dokumente brenda një hapësire, i cili është modeli i parë në nivel vendi.
Me këtë rast, ministri Gashi tha se investimet e tilla do të vazhdojnë edhe në nivel të Republikës së Kosovës.
Ndërsa kryetari i komunës së Obiliqit, z. Xhafer Gashi falënderoi ministrin Gashi për përkrahjen e dhënë në ndërtimin e këtij objekti.
Projekti për ndërtimin e Qendrës për Pajisje me Dokumente, në vlerë prej 270 mijë euro, është financuar nga Ministria e Punëve të Brendshme ndërsa hapësira për ndërtimin e këtij objekti është ofruar nga Komuna e Obiliqit.