Përurohet pika e përbashkët e kalimit kufitar Shishtavec- Krushevë

Dragash, 10 maj - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe homologu i tij nga Republika e Shqipërisë, Flamur Noka, përuruan sot në kufirin Kosovë-Shqipëri, pikën e përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec- Krushevë.
Me këtë rast, ministri Bajram Rexhepi, theksoi se përurimi i kësaj pike kufitare është si rezultat i nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit Policor në mes të dy vendeve.
Një muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim ndërkufitar, po bëhet përurimi i pikës së re të kalimit kufitar Kosovës-Shqipëri. Ky është si rezultat i përkushtimit dhe seriozitetit të treguar nga të dy qeveritë, tha ministri Rexhepi.
Në fjalën e rastit, ministri Rexhepi pohoi se hapja e kësaj pike të re kufitare, jo vetëm që do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve, por në të njëjtën kohë do të nxisë edhe një luftë më efikase të përbashkët kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të ndryshme ilegale.
Ndërsa ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Flamur Noka, nënvizoi se ky hap në praktikën ndërkufitare është një tjetër tregues i forcimit dhe bashkëpunimit me Republikën e Kosovës dhe një mundësi reale për të gjithë banorët nga të dy anët e kufirit të lëvizin lirshëm dhe që sjell zhvillim të mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike, kulturore e njerëzore.
Në bazë të marrëveshjes, ku parashikohet hapja e pikave të reja të kalimit, qytetarët që udhëtojnë drejt të të dyja vendeve, do ti nënshtrohen vetëm një kontrolli në hyrje ose dalje.