Përurohet Burgu i Sigurisë së Lartë
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë, të EULEX-it, UNOPS-it, ministra të Qeverisë së Kosovë dhe të institucioneve tjera vendore dhe ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, Ministri Kuçi tha se ky projekt i realizuar është rezultat i bashkëpunimit dhe partneritetit funksional që ka krijuar Ministria e Drejtësisë me Komisionin Europian dhe partnerët tjerë.
Ministri Kuçi tha se ky institucion do ti ketë edhe standardet e formatit të kërkuara nga vendet anëtare të BE-së.
Burgu i Sigurisë së Lartë, përveç standardeve të larta të sigurisë do të ofrojë standardet më të larta të respektimit të të drejtave të burgosurve që ua garanton ligji. Ne do të punojmë dhe angazhohemi për të krijuar një ambient ku respektohet dhe sundon ligji dhe numri i atyre që shkelin ligjin të jetë sa më i vogël tha Kuçi.
Ministri Kuçi u shpreh i bindur se personeli i cili është përzgjedhur të punojë në Burgun e Sigurisë së Lartë, do të kryej punën me korrektësi, ndershmëri, guxim, paanshmëri dhe profesionalizëm.
Ju do të keni pjesën tuaj të kontributit në sigurinë e vendit si të gjithë pjesëtarët e uniformuar të institucioneve tjera, qofshin ata policë, ushtarë etj. Unë ju sigurojë se do të keni mbështetjen e plotë të ministrisë në kryerjen e misionit tuaj, tha Kuçi.
Ministri Kuçi ka falënderuar Bashkimin Europian për ndihmën financiare që ka dhënë për ndërtimin e këtij Burgu, ndërsa ka falënderuar edhe UNOPS-in, Ministrinë e Administratës Publike dhe akteret tjerë për mbështetjen e dhënë gjatë ndërtimit të Burgut.
Për rëndësinë që ka ndërtimi i Burgut të Sigurisë së Lartë, gjatë kësaj ceremonie kanë folur edhe Christof Stock, Shefi i Operacioneve të Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Mats Mattson, Shef i Sektorit Ekzekutiv në EULEX, Peter Bach, Shef i Sektorit të Fuqizimit në EULEX dhe Mahir Yagcilar, Ministër i Administratës Publike, të cilët në të njëjtën kohë ofruan mbështetje të mëtutjeshme për Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Ndërtimi i Burgut të Sigurisë së Lartë është projekt i bashkë-financuar nga Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Europian.