Personat e zhdukur, ende plagë e hapur në Kosovë
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) deklaron së është një tragjedi për mijëra të afërm që kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre dhe që ende po përballen me këtë paqartësi pas kaq shumë vitesh.
KNKK thekson se do të vazhdojë të qëndrojë pranë tyre gjatë këtyre kohërave të vështira.
Me rastin e Ditës Kombëtare të Personave të Zhdukur, Shefi i Misionit të KNKK-së në Kosovë, Agim Gashi, tha se: “Plagët e familjeve të personave të zhdukur mbeten të pashëruara. Ditë pas dite, familjet vazhdojnë të jetojnë në ankth dhe paqartësi, pa e ditur se çfarë ka ndodhur me bashkëshortët, fëmijët apo të afërmit e tyre."
"Ne nuk kemi kursyer asnjë përpjekje për t'ua lehtësuar vuajtjet e tyre dhe do të vazhdojmë t’i shoqërojmë të gjitha përpjekjet për zbardhjen e vendndodhjes së personave të zhdukur. Familjet do të gjejnë ngushëllim vetëm pasi të dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre”.
Ai përfundoi duke thënë se “është obligim i yni që t’i mbështesim të gjitha nismat që për qëllim kanë zbardhjen e fatit të të gjithë personave që mbeten të pagjetur në Kosovë, pa dallim”.
Në nder të mijëra familjeve që presin ende me dëshpërim informata që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) e ka prodhuar një video pa zë për ta vënë në pah pikëllimin e familjeve si pasojë e humbjes së të dashurve të tyre.
Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, ish-palët në konflikt janë të detyruara që të japin informata për fatin dhe vendndodhjen e personave që janë zhdukur në territoret që kanë qenë nën kontrollin e tyre. Familjet e kanë të drejtën e patjetërsueshme që të dinë për fatin e të dashurve të tyre të zhdukur.