Përmbyllet projekti mes MPB dhe FBI për të dhënat e ADN
Në këtë ceremoni morën pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, zëvendës-ambasadorja amerikane në Kosovë, Kelly Degnan, drejtori Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Blerim Olluri si dhe zyrtarë të FBI-së dhe zyrtarë të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Gjatë kësaj ceremonie përmbyllëse, ministri Bajram Rexhepi falënderoi qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ndihmën e dhënë në ndërtimin e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë
Ky sistem është realizuar si rezultat i përkrahjes së vazhdueshme që ka dhënë qeveria e SHBA-së, gjegjësisht ICITAP-i, për Agjencinë e Kosovës për Forenzike, që është një model i suksesshëm edhe për vendet tjera të rajonit, tha ministri Rexhepi.
Ndërsa Kryehsefi i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Blerim Olluri, tha se Agjencia e Kosovës për Forenzikë tani radhitet në mesin e rreth 265 laboratorëve në më shumë se 40 vende ndërkombëtare që shfrytëzojnë sistemin CODIS-in për menaxhim e të dhënave për ADN.
Platforma CODIS do të ndihmoj dhe lehtësojë dukshëm ekspertizën e ADN-së, duke mundësuar indeksimin, kërkimin dhe shkëmbimin automatik të profilit të ADN-së në nivel vendorë, rajonal dhe Evropian. Kjo bazë nacionale e të dhënave për ADN do të ketë rol të shumë rëndësishëm në identifikimin e kryeseve të veprave penale por edhe zbardhjen e dilemave mbi dyshimin. theksoi Olluri.
CODIS (Combined DNA Index System) - është një baze e të dhënave (aplikacion-softwer) ku vendosen profilet e ADN-së me mundësi krahasimi automatik dhe shkëmbim të të dhënash.
Vendosja e këtij sistemi dhe trajnimi i stafit të AND-së është bërë nga zyrtarë të FBI-së dhe tash e tutje do të:
- Krijohet një bazë nacionale e avancuar e të dhënave për profil të ADN-së;
- Mundësohet krahasimi automatik i profileve të ADN-së;
- Mundësohet shkëmbimi automatik i të dhënave me vendet e rajonit dhe BE-së;
- Ndihmon në kryerjen e ekspertizës së ADN-së.