Përmbyllet me sukses trajnimi me ushtrimin fushor Ujku 1C Godet
Prishtinë, 7 prill - Kompania 1C e BRSH-së përmbylli me sukses ciklin tremujor të trajnimit me ushtrimin fushor Ujku 1C Godet.
Kompania 1C e Batalionit të Parë të Brigadës për Reagim të Shpejtë të FSK-së, ka realizuar ushtrimin fushor të koduar me emrin Ujku 1C Godet.
Ky aktivitet është realizuar në bazë të ciklit tremujor të trajnimeve, listës së detyrave esenciale për zbatimin e misionit dhe planit vjetorë të aktiviteteve në Brigadën e Reagimit të Shpejtë.
Qëllimi kryesor i këtij ushtrimi fushor ishte testimi i gatishmërisë operacionale, funksionimi i nën oficereve lider, në nivel Kompanie, Togu, Skuadre, Ekipi dhe përmbushja e fazës së trajnimit.
Kompania 1C, me të pranuar mesazhin e alarmimit, duke respektuar të gjitha afatet kohore ka ngritur gatishmërinë në nivelin e III-të, ku kërkohej që të jetë e gatshme që sipas urdhrit të operoi në zonën e operacionit, për të kryer operacionet e sigurisë.
Në ushtrimin fushor të Kompanisë 1C, kanë qenë të angazhuar 232 pjesëtarë, duke përfshirë këtu personelin nga Komanda e Batalionit, Kompania Mbështetëse dhe Simulantët.
Ushtrimi fushor ishte tejet sfidues, ku personeli u ballafaqua me kushte të vështira atmosferike dhe skenarë të ndryshëm, të cilët i mundësonin kompanisë 1C, të zhvillimin operacione të sigurisë dhe forcon trajnimet paraprake.
Aktivitetet-operacionet u zhvilluan kryesisht në malet e Jezercit në regjionin e Ferizajt, duke i mundësuar edhe testimin e komunikimit me Radio Harris dhe Motorolla. Ky aktivitet zgjati tri ditë, duke i mundësuar personelit të K1C të realizoj një mori aktivitetesh të cilat janë mësuar gjatë fazës së trajnimit.
Aktivitetet e realizuara gjatë ushtrimit fushor ishin: Alarmimi, Marshimi, Ngritja e kampit fushorë, Ngritja e komandave taktike, Navigim natën, Operacione urbane, Operacione malore, Pikë vëzhgimi, Pikë kontrolli, Kontrolli i zonës, Koordinim me autoritetet lokale dhe Testim i qëndrueshmërisë fizike.
Ushtrimin fushor e kanë nga afër edhe përfaqësues të NLAT-it, ekipit këshillues të NATO-s, për FSK-në.
Ushtrimi fushor Ujku 1C Godet ka përfunduar me sukses dhe me vlerësimin se është arritur qëllimi i mbajtjes së këtij ushtrimi fushor.