Përmbyllet fushata për ndërmjetësimin
Prishtinë, 31 maj - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Ministria e Drejtësisë dhe Fakulteti Juridik do të shpërblejnë tri punimet më të mira me temë Ndërmjetësimi si mënyrë alternative e zgjedhjes së rasteve në një ceremoni rasti që do të mbahet sot në lokalet e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Ngjarja është rezultat i fushatës së filluar një muaj më parë me qëllim të vetëdijësimit të qytetarëve, me theks të veçantë rinisë, për rëndësinë e funksionalizimit të ndërmjetësimit.
Në kuadër të fushatës, janë mbajtur prezantime për studentë të Fakultetit Juridik dhe është lansuar gara për tekstin më të mirë. U pranuan 22 punime dhe paneli vlerësues zgjodhi tri më të mirat.
Në ngjarje do të marrin pjesë Andrew Russell, Koordinator i OKB-së për Zhvillim, Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, Haxhi Gashi, Dekan i Fakultetit Juridik, Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, profesorë, studentë dhe zyrtarë.