04 Maj 2024

Përmbyllet fushata kombëtare kundër trafikimit “Hapi Sytë”

Prishtinë, 18 tetor - Fushata kombëtare e këtij viti kundër trafikimit, “Hapi Sytë”, ka rritur vetëdijesimin kundër shfrytëzimit të fëmijëve dhe të rinjve. Kjo fushatë një mujore e vetëdijesimit publik, ka filluar më 18 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me një “rreth njerëzor kundër trafikimit me njerëz”, duke përfshirë 60 fëmijë nga shkollat “Emin Duraku” dhe “Naim Frashëri” në Prishtinë.

Fushata është udhëhequr nga Koordinatori Kombëtar Kundër Trafikimit, njëherazi  zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Sasa Rasic.

Ambasadorët e komuniteteve të ndryshme në gjithë Kosovën, kanë shprehur mbështetjen e tyre, përfshirë kampionen botërore të xhudos, Majlinda Kelmendi dhe muzikantët, MC Kresha & Hana Cakulli në emër të komunitetit shqiptar, gazetari Budimir Nicic, në emër komunitetit serb dhe këngëtarin Bajram Kinolli Kafu nga “Gipsy Groove”, në emër të komunitetit rom.

Qëllimi i fushatës ka qenë të jepet informacion i mjaftueshëm për fëmijët dhe të rinjtë, prindërit, mësuesit, punëtorët social, shëndetësor dhe publikut në përgjithësi,  për t’i njohur shenjat e shfrytëzimit, përfshirë shfrytëzimin në punë, lypjen e fëmijëve dhe abuzimin seksual.

Po ashtu, është synuar promovimi i Linjës Ndihmëse të fushatës kombëtare kundër trafikimit, si pikë kryesore e kontaktit për ndihmë. Numri i Linjës Ndihmëse: 0800 11 11 2 është i hapur 24 orë, nga e hëna deri të premten; tani është në dispozicion në të gjitha rrjetet e linjave mobile dhe fikse në gjithë vendin.

Për të rritur vetëdijesimin, ambasadorët Kafu nga Gipsy Groove dhe artisti shqiptar i hip hopit, MC Kresha, kanë performuar në një koncert për ngritjen e fondeve në Teatrin Oda, më 4 tetor. Ky koncert grumbulloi më shumë se 1000 euro, të cilat do të ndahen për dy strehimoreve lokale që ofrojnë ndihmë praktike për viktimat e trafikimit për punën e tyre të ri-integrimit.

Fushata “Hapi Sytë” ka përfshirë së paku 100,000 njerëz në Kosovë, përfshirë publikun e gjerë dhe komunitetet më të ndjeshme, përmes aktiviteteve vijuese:

•Ambasadorët kanë prodhuar pesë video-tv dhe radio mesazhe të ndryshme në tri gjuhë: shqip, serbisht dhe rome.  Këto janë transmetuar në të dyja kanalet, kanalin e transmetuesit publik RTK dhe në televizionin kombëtar KTV, i cili po ashtu ka treguar përkushtimin e tij për të mbështetur fushatën. Po ashtu, shtatë radio stacione serbe që janë pjesë e rrjetit “Kosmanet”, kanë transmetuar gjerësisht mesazhet e fushatës, kurse radio “Romano Avazo” dhe radio “Vizioni” kanë transmetuar mesazhet në gjuhën rome.

•Ky është viti i parë që është përfshirë një fushatë e mediave sociale. Faqja e Facebook-ut “Hapi Sytë” ka gjeneruar 500 \"pëlqime\" në ditën e parë, dhe 1000 \"pëlqime\" brenda javës së parë. Deri më tani, më shumë se 1, 300 përdorues e kanë \"pëlqyer\" faqen e Facebook-ut. Për sa i përket arritjes së përgjithshme sociale, ne kemi arritur pothuajse 50,000 njerëz.

•Ueb-sajti “Hapi Sytë” në tri gjuhët (shqip, serbisht, rome), mbetet gjëja kryesore e fushatës, si një mjet me resurse që mund të arrihet nga grupe të ndryshme, përfshirë viktimat e mundshme. Ne kemi parë një rritje në numrin e vizitorëve unikë në që të tri ueb-sajtet:

•Në gjuhën shqipe “hapisyte.org”, ka arritur rritje në 30 për qind për sa i përket vizitave unike gjatë fushatës një mujore, në krahasim me vitin e kaluar, me shumicën e trafikut që ka ardhur përmes klikimeve në ueb-sajte të ndryshme të lajmeve dhe faqen e Facebook-ut.

•Ueb-faqja në gjuhën serbe, “otvorioci.org”, ka pasur një rritje prej më shumë se 100 për qind të vizitave unike, me shumicën e trafikut të ardhur nga kërkimet direkt, të cilat sugjerojnë që radio dhe TV mesazhet e transmetuara gjerësisht, kanë qenë efektiv në sjelljen e audiencës në ueb-sajt.

•Në gjuhën rome, “putartereyakha.org”, ka pasur rritje prej 200 për qind në vizitat unike, sërish me shumicën e trafikut të ardhur nga kërkimet direkt, njëjtë duke treguar që kjo është rezultat direkt i radio dhe TV mesazheve që janë transmetuar gjerësisht.

•Billbordet dhe posterat  janë vendosur në tërë Kosovën. Gjashtë billborde janë shfaqur në qytete në gjithë Kosovën, shumica në rrugët kryesore, kurse posterat janë shfaqur në disa qytete.

•Më shumë se 23,000 broshura dhe 2,300 postera janë printuar në gjuhën shqipe, serbe, rome, boshnjake dhe turke. Ato janë shpërndarë në të gjitha ngjarjet publike të organizuara nga aktorët e fushatës dhe përmes bashkëpunimit me “Avenija”, rrjeti i OJQ-ve të grave serbe dhe “Gaia”, një OJQ rome.

•Kemi përfshirë së paku 15,000 studentë në 40 shkolla në gjithë Kosovën, përmes Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Mbrojtësve të Viktimave dhe OSBE-së.

•Po ashtu, janë përfshirë së paku 350 udhëheqës të komuniteteve përmes shtatë sesioneve të ngritjes së vetëdijes për sigurinë në komunitet, të cilat janë mbajtur në komunat: Podujevë, Partesh, Gjakovë, Shtime, Ranilluk, Shtërpcë dhe Pejë.

Trafikimi i prekë të gjitha komunitetet në Kosovë. Nuk është thjeshtë një vend transit; është po ashtu një burim dhe destinacion i trafikimit. Vetëm këtë vit, 41 nga 48 viktima të trafikimit të identifikuara ishin me origjinë nga Kosova. Viktimat tjera ishin nga Shqipëria dhe Serbia, duke treguar një rritje në numrin e viktimave të trafikimit që janë anëtarë të komuniteteve në Kosovë.

Partnerët dhe aktorët e fushatës “Hapi Sytë 2013”, përfshijnë institucionet e Qeverisë së Kosovës, Zyrën e BE në Kosovë, UNDP, OSBE, ICITAP, GIZ, IOM, Terre des Hommes dhe Caritas Kosova 
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)