Përjashtohen nga puna dy hetues të Inspektoratit Policor të Kosovës
Prishtinë, 16 gusht - Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Fitim Shishani, bazuar në të gjeturat e Komisionit Disiplinor në kuadër të IPK-së, mori sot vendim për largimin nga puna të dy hetuesve nga Departamenti i Hetimeve të IPK-së.
Hetimi për shkeljet disiplinore ka filluar muajin e kaluar kur Kryeshefi Ekzekutiv me vendim ka suspenduar me pagesë dy hetues (me inicialet Q.V dhe B.H) të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) pasi që veprimet e tyre kanë rënë ndesh me udhëzimet administrative që rregullojnë disiplinën në Inspektoratin Policor të Kosovës.
Menaxhmenti i IPK-së konstaton se janë bërë investime të mëdha në aspektin e burimeve njerëzore por edhe se do të përkujdesen çdo herë që secili punonjës i Inspektoratit Policor të Kosovës të karakterizohet nga integriteti i lartë moral e profesional.
Kjo vjen në shprehje sidomos kur dihet se IPK-ja si agjenci ekzekutive ka për mision mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës si një ndër shtyllat më të rëndësishme të shtetit.
Inspektorati Policor i Kosovës edhe njëherë garanton qytetarët e Republikës së Kosovës se në vazhdimësi do të përmirësojë dhe fuqizojë mekanizmin e vet-kontrollit brenda organizatës.