Përgënjeshtrohen thashethemet, nuk ka tërmete në Kosovë
Prishtinë, 16 mars - Thashethemet për paralajmërimin e një tërmeti katastrofik në Kosovë kanë bërë që qindra qytetarë kosovarë ti telefonojnë Entit Sizmologjik të Serbisë për t'u informuar.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtoresha e këtij enti, Sllavica Radovanovic, e cila siguron qytetarët e Republikës së Kosovës duke i përgënjeshtruar këto thashetheme.
Ajo ka theksuar për mediat serbe se nuk ekzistojnë metoda për paralajmërime afatshkurtra të tërmeteve, prandaj me siguri nuk vijnë nga sizmologët.
"E vetmja e vërtetë është se në Kosovë, në zonat veriore të Dukagjinit, po zhvillohet një aktivitet i moderuar sizmik, i cili i shëmbëllen atyre hapësirave", ka thënë Radovanovic.
Sipas fjalëve të saj, Entit Sizmologjik të Serbisë i kanë telefonuar edhe shqiptarët nga Kosova, se thashethemet për tërmetin katastrofik që do të ndodhte dje pasdite kishin marrë përmasa alarmante. Radovanovic përsërit se në Kosovë nuk do të ndodhin tërmete katastrofike.