Përfundon operacioni i FSK-së për deminimin e Parkut Gërmia
Prishtinë, 7 qershor - Foca e Sigurise së Kosovës (FSK) sot mban ceremoninë e përfundimit te operacionit të deminimit të Parkut Gërmia në Prishtinë.
Pastrimin e Parkut Gërmia nga minat dhe mjetet e tjera të pashpërthyera e kanë bërë Kompania e deminimit të FSK-së, në bashkëpunim me Armatën e Suedisë,
Me rastin e përfundimit me sukses të operacionit për pastrimin e Gërmisë, nga minat dhe mjetet e tjera të pashpërthyera, do të organizohet një ceremoni përmbyllëse, në Gërmi, ku do të marrin pjesë; ministri i FSK-së Agim Çeku, komandanti i KFT-së gjeneralmajor Rrahman Rama, ambasadorja e Suedisë në Prishtinë, zonja Ingrid Johanson, si dhe oficerë të lartë të FSK-së, të Ushtrisë suedeze dhe personalitete të tjera.
Me një fjalë rasti, do të paraqitet ministri i FSK-së Agim Çeku dhe ambasadorja e Suedisë në Prishtinë, Znj Ingrid Johansson.
Kompania e deminimit të FSK-së, pastrimin e kësaj pjese të Parkut Gërmia, e ka filluar më 2 prill, ndërsa më 22 prill, ka ardhur edhe një ekip i specializuar i Armatës së Suedisë, me dy ekskavatorë të blinduar, të cilët së bashku me Kompaninë e deminimit, kanë pastruar mbi 25.000 metra katror dhe kanë shkatërruar 35 bomba kasetore dhe 3 granata dore, si dhe kanë larguar mbi 438 kamionë me mbeturina të gërmadhave, të mbetura si pasojë e granatimeve gjatë luftës në Kosovë.