Përfundon në pranga si trafikant me qenie njerëzore
Prishtinë, 21 maj - Pasi i shantazhonte dhe i kërcënonte viktimat që të kryenin marrëdhënie seksuale për përfitime personale i dyshuari M. S përfundon në pranga nga ana e policisë.
Njësia për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore-Prizren, kohë më parë ka pranuar një informacion lidhur me një person për të cilin dyshohej se i njëjti merrej me veprimtari kriminale konkretisht trafikim me qenie njerëzore.
Njësia në fjalë me të marrë informatën ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura policore dhe sot, ka arrestuar personin e dyshuar, M. S, lindur më 1989, nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Trafikim me njerëz, si dhe ka identifikuar dy viktima të trafikimit.
Bazuar në hetimet fillestare policore, i dyshuari tashmë i arrestuar, i detyronte viktimat duke i kërcënuar dhe shantazhuar, që të kryenin marrëdhënie seksuale me persona të ndryshëm me qëllim të përfitimit material.
Lidhur më këtë rast janë gjetur prova dhe dëshmi të nevojshme hetimore, se i dyshuari ka kryer veprën penale trafikim me njerëz.
Të gjitha veprimet policore lidhur me këtë rast janë kryer nën autorizimin e prokurorit të prokurorisë themelore- Gjakovë dhe të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme.