Përfundon aksioni në AKP me 11 të arrestuar
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, sot në orët e hershme të mëngjesit, ka zhvilluar një operacion të gjerë policor në disa lokacione të Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani ka bërë të ditur se operacionit i ka paraprirë një hetim disa mujor lidhur me çështjen e privatizimit të fabrikës FAN, në komunën e Podujevës, me çrast nga zyrtarë të Agjencionit Kosovare të Privatizimit, anëtarë të Bordit Menaxhues të Agjencionit Kosovar të Privatizimit dhe zyrtarë të Kadastrës në Komunën e Podujevës, në bashkëkryerje nga viti 2006 deri në vitin 2012 dyshohet se kanë kryer veprat penale si:
Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 422 i KPK-së, Mashtrimi në detyrë nga neni 426, Legalizim i përmbajtjes së rreme nga neni 403, Mashtrimi nga neni 335, Shkaktim i falimentimit nga neni 286 i KPK-së dhe, Keqpërdorim i autorizimeve ekonomike nga neni 290 paragrafi 1 pika 1.2. i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast në cilësinë e personave të dyshuar janë arrestuar: Shkelzen Lluka ish-drejtor i AKP-së, Naim Avdiu ish Zëvendësdrejtor, Agron Kamberaj, ish kryesues i njësisë së monitorimit në AKP, Nehat Islami, ish zyrtar i monitorimit në AKP,Kreshnik Lleshi, ish zyrtar i monitorimit në AKP, Adrian Kelmendi, UD kryesues i Zyrës së monitorimit , Tahir Sahiti, Ilaz Haliti dhe Shefki Maliqi
Kelani ka thënë së gjatë këtij operacioni policor ka qenë në kërkim edhe i dyshuari deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës Naser Osmani i cili ishte njëherit edhe anëtar i bordit të AKP-së, por i njëjti nuk është gjetur në lokacionin e kërkuar nga Policia.
Me këtë rast është lëshuar urdhërarrest nga Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda .
Dyshohet se dëmi, shkaktuar buxhetit të Kosovës, lidhur me këtë rast, të jetë disa milionësh.
Gjatë këtij operacioni policor janë bastisur (5) pesë lokacione të ndryshme, ndërsa personave të dyshuar u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.