23 Dhjetor 2024

Përfundoi muaji Antitrafikim në Republikën e Kosovës

Prishtinë, 18 tetor  –Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me Ministrinë për Arsim, Shkencë e Teknologji të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shënuan muajin Antitrafikim në Republikën e Kosovës.

Fatmir Xhelili, zëvendësministër i Punëve të Brendshme tha se “aktivitetet të cilat i kemi zhvilluar dhe janë duke u zhvilluar bazuar në planin e veprimit për t’i arritur dispozitivat e strategjisë për luftën e trafikimit me qenie njerëzore, dëshmojnë se janë aktivitete të përzgjedhura që janë duke u implementuar në drejtim të duhur dhe me kohë. Besoj që çdo ditë e më pak do të kemi viktima të trafikimit falë edhe juve, që nesër do të jeni edhe ju sensibilizues në familjet tuaja.

Në mesin tuaj dhe në bangat tuaja shkollore do të shpjegoni dhe reflektoni në atë drejtim, që nesër që ndonjë shok, shoqe, apo anëtar i familjes me mësimin tuaj të mos jetë viktimë e trafikimit me qenie njerëzore. Ju përgëzoj me aktivitetet që i keni realizuar në shkollat tuaja, për punimet që i keni bërë për debatet e zhvilluara, për vizatimet që ia keni përkushtuar viktimave të trafikimit dhe besoj se përkushtimi dhe serioziteti juaj në këtë drejtim do të jetë një optimizëm i madh që ju nesër të dilni, punëtorë, zyrtarë dhe udhëheqës të Republikës së Kosovës.

Shteti ynë edhe pse me buxhet modest ka ndarë mjete të konsiderueshme edhe për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve tona për të luftuar këtë dukuri negative të vendit tone, në drejtim të ngritjes së Policisë sonë dhe Drejtorisë së saj për hetimin e trafikuesve me qenie njerëzore, që është një njësi elite dhe mund të them se rezultatet e saj janë impozante si për nga numri i të arrestuarve dhe lokaleve të kontrolluara ashtu edhe për kujdesin që ata e pasojnë për viktimat e trafikimit deri te institucionet tjera ku në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe në drejtim të qendrave që janë të dedikuara për riintegrimin dhe rehabilitimin e tyre në shoqëri.

Jemi duke ndarë mjete të konsiderueshme edhe për vet viktimat e trafikimit për programet riedukuese arsimore dhe riintegruese në shoqëri. Jemi duke ndarë mjete edhe për strehimore. Kemi strehimoren me rrezikshmëri të lartë nën përkujdesjen tonë që është për viktimat që janë të rrezikuara, por kemi edhe strehimore nën udhëheqjen e organizatave joqeveritare që përkujdesen për mirëqenien dhe akomodimin e viktimave të trafikimit. Kjo sot është ditë e arsimit, ditë e nxënësve, duke falënderuar Ministrinë e Drejtësisë, atë të Financave, Kulturës dhe në veçanti Policinë e Kosovës për kontributin e dhënë në këtë drejtim”, than ë fund të fjalës së tij, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Fatmir Xhelili.

Ndërkaq, z. Enver Hoxhaj, ministër i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë tha se “për mua si minister, ky aktivitet sot është shumë i veçantë meqë ky muaj dhe kjo punë e madhe që është bërë ka synuar që t’i arrijë dy qëllime kryesore dhe këto dy qëllime synojmë që t’i bashkojmë forcat dhe dijen për ta luftuar një fenomen të shëmtuar siç është trafikimi me qenie njerëzore. Dua t’u ftoj të gjithëve që të t’i bashkoheni sloganit:


“Vepro me përgjegjësi” dhe të gjejmë forcë që duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës, ta luftojmë këtë dukuri që të mos jetë pjesë e shoqërisë sonë, të mos jetë pjesë e shtetit tonë. Ky muaj dhe kjo fushatë, synon që me një proces të shtetndërtimit në të cilin gjendet Republika e Kosovës, shkollat tona, nxënësit dhe familjet tona dhe mbi të gjitha sistemi ynë arsimor të merr një mision të ri dhe ky mision është që ta mbrojmë shtetin tonë, ta mbrojmë qytetin, fshatin tonë dhe t’i mbrojmë fëmijët tanë.

MASH-ti ka ndërmarrë disa masa në sensibilizimin e nxënësve dhe trajnimit të mësimdhënësve, por edhe në organizimin e debateve të shumëta”, tha ndër të tjera Enver Hoxhaj, ministër i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Në vazhdim, nënësve të shkollave të Republikës së Kosovës iu ndanë edhe disa çmime. Nxënësit që janë shpërblyer për esetë më të mira janë: Vendin e parë e ka zënë Lindita Rexha, nxënëse e klasës XI të shkollës fillore “Dardania” nga Hani i Elezit. Vendin e dytë e zuri Melisa Gacaferri, nxënëse e klasës IV të shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit” në Deçan, ndërsa vendin e tretë e fitoi Furtuna Tolaj, nxenëse e klasës IX të shkollës fillore “Dëshmorët e Vokshit” nga Pobergja e Deçanit.

Ndërkaq në fushën e artit figurativ fitues të çmimit të parë janë nxënësit: Adelina Gashi dhe Eronita Imeri, nxënëse të klasës VIII të shkollës fillore “Xhavit Ahmeti” në Prishtinë. Vendin e dytë e zuri Aida Aliu, nxënëse e klasës IX në shkollën fillore “Pandeli Sotiri” në Obiliq, ndërsa vendin e tretë e zuri Florinda Gashi, nxënëse e klasës VII në shkollën fillore “Jusuf Gërvalla” në Prapaçan të Deçanit.

Ndërkaq në fushën e vallëzimit dhe muzikës, çmimin e parë e fitoi Grupi Artistik i shkollës “Jeta e Re” në Suharekë, ndërsa çmimin e dytë Grupi Artistik i shkollës “Ibrahim Krasniqi” në Lypjan, derisa vendin e tretë e fitoi Grupi Artistik nga shkolla fillore “Edmond Hoxha” në Junik.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)