Përdhunohen dhe vriten 3 motra të mitura në Indi
New Delhi, 20 shkurt - India tronditet sërish nga përdhunimi i grave dhe vajzave të mitura. Tre motra, 6, 9 dhe 11 vjeç, janë rrëmbyer, përdhunuar e më pas vrarë në një fshat në Maharashtra.
Mediat lokale bëjnë të ditur se prindërit e vajzave kanë denoncuar zhdukjen e tyre që të enjten e kaluar, ndërsa të shtunën policia ka gjetur trupat e pajetë të vogëlusheve. Trupat ishin fshehur në një pus në fshatin Murmadi në Bhandara.
Në bazë të raportit mjeko-ligjor, është konfirmuar fakti se vajzat e mitura janë përdhunuar përpara se të vriteshin barbarisht.
Policia ka shoqëruar dy persona të dyshuar si autorët e ngjarjes, ndërkohë që hetimet vijojnë.