Percaktohen kriteret për pranimin e prokurorëve të rinj
Prishtinë, 4 mars - Në takimin e mbajtur sot nga anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, u nxorën vendime të rëndësishme për funksionalizimin e këtij Këshilli dhe për ngritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial në përgjithësi.
Në këtë takim në mes tjerash u shqyrtua dhe u aprovua Rregullorja e Punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Gjithashtu, në këtë takim u shqyrtua edhe Rregullorja për Emërimin e Prokurorëve, e cila u aprovua nga anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Me këtë rregullore përcaktohen kriteret që duhen plotësuar kandidatët e interesuar për tu emëruar prokuror dhe procedurat për emërimin e tyre.
Pas aprovimit të kësaj rregulloreje u vendos që KPK-ja të shpallë konkursin për plotësimin e 45 pozitave të lira të punës, për prokurorë të të gjitha niveleve.
Në këtë takim u shqyrtuan edhe propozimet për anëtarë të KPK-së, nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, respektivisht nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës, nga Oda e Avokatëve të Kosovës dhe nga shoqëria civile.
Anëtarët e KPK-së, pas shqyrtimit të biografive të secilit kandidat të propozuar zgjodhën për anëtarë të Këshillit Prof. Dr. Bajram Ukaj nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës dhe z. Teki Bokshi nga Oda e Avokatëve të Kosovës.
Ndërkaq, kandidatëve të propozuar nga shoqëria civile u kërkohet ti dërgojnë biografitë e tyre në KPK deri më 15 mars 2011 dhe pas shqyrtimit të tyre duke vlerësuar se cili prej tyre i plotëson më së miri kushtet, si për nga përgatitja profesionale ashtu edhe për nga njohja në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut do të bëhet edhe përzgjedhja e përfaqësuesit të shoqërisë civile.