Për tetë muaj asnjë qytetar nga Kosova nuk ka shkuar në Siri
Prishtinë, 29 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi sot Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku u njoftua nga ministri Skender Hyseni për punën dhe rezultatet e MPB-së dhe të Policisë së Kosovës.
Gjatë vizitës, kryeministri Mustafa i shoqëruar nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Forcës së Sigurisë, Haki Demolli, vizitoi edhe Qendrën Operative të Policisë së Kosovës, për të parë nga afër punën e kësaj qendre.
Mund të them se të gjitha raportet e brendshme dhe raportet ndërkombëtare konfirmojnë rezultate shumë pozitive dhe sukseset evidente të arritura të organeve të rendit në Kosovë, si gjatë vitit 2015, po ashtu edhe në fillim të këtij viti. Ka një bashkëpunim shumë të mirë të Ministrisë të Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Kosovës me institucionet tjera që merren me çështje të sigurisë në Kosovë si me Agjencionin Kosovar të Inteligjencës, Prokurorinë e Shtetit, me të gjitha gjykatat, dhe po ashtu ekziston një bashkëpunim shumë i mirë edhe me vendet në rajon dhe me vendet e tjera, gjë që ka mundësuar që kjo ministri dhe policia, jo vetëm që ta bëjnë punën e vet të suksesshme brenda, por të ndihmojnë edhe në stabilitetin, paqen dhe sigurinë në regjion, por edhe në sigurinë në Evropë dhe më gjerë, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa përmendi rezultatet konkrete të arritura në fusha të ndryshme nga MPB-ja.
Jemi i vetmi vend në këtë pjesë të rajonit që po zbaton Ligjin që ndalon bashkimin e njerëzve tanë në konfliktet e jashtme. Jemi vend i cili kemi Strategjinë kundër terrorizmit dhe kundër radikalizmit i cili qon në terrorizëm dhe ekstremizmit të ndryshëm. Janë marrë masa të rëndësishme në sundimin e ligjit dhe të forcimit të shtetit të drejtës. Masa shumë të rëndësishme kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve ekonomike, luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore, tha kryeministri, duke përmendur po ashtu përmirësimet në fushën e sigurisë, rendit dhe qetësisë publike në Kosovë.
Më tej, kryeministri Mustafa tha se rezultate të rëndësishme janë arritur edhe në agjendën evropiane.
Në këtë aspekt kjo ministri ka përmbushur të gjitha kriteret që kanë qenë në kompetencë të saj sa i përket liberalizimit të vizave, u shpreh kryeministri.
Në veçanti, kryeministri Isa Mustafa, ka theksuar punën shumëdimensionale që kjo ministri ka bërë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit si dhe në luftimin e terrorizmit.
Është bërë një punë shumë konkrete në koordinim me të gjitha subjektet e tjera dhe është arritur që të ndalet shkuarja e njerëzve tanë atje dhe sipas raportimeve, për 8 muaj skemi pas asnjë shkuarje të njerëzve tanë në frontet e jashtme qoftë në Siri ose në Irak. Po ashtu, Ministria i ka marrë masat sa i përket ngritjes së kapaciteteve dhe të bashkëpunimit në fushën e rendit dhe të sigurisë, si dhe ngritjes së sigurisë së dokumenteve, që është prapë një punë shumë e rëndësishme për ne.
Nuk mund të kapërcej e të mos them se Policia e Kosovës ka bërë një punë shembullore, një punë ligjore edhe sa i përket menaxhimit të situatave të cilat ne i kemi pas gjatë kësaj periudhe këtu në Kosovë, qoftë me protesta, qoftë me forma tjera të shprehjes së dhunës. Policia iu ka përmbajt ligjit, iu ka përmbajt rregullave dhe e ka kryer punën e saj ashtu siç është paraparë me ligj, duke e ruajt stabilitetin në vend dhe duke siguruar që qytetarët të mos dëmtohen nga veprime të tilla, tha kryeministri.
Duke u ndalur në të dhënat konkrete që dëshmojnë rezultatet e Policisë së Kosovës, kryeministri Mustafa ka përendur faktin se gjatë vitit të kaluar në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve ekonomike është punuar në 1649 raste.
Janë ngritur 894 kallëzime penale ndaj 1561 personave. Në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore janë iniciuar 165 raste për hetime, 6 grupe kriminale dhe janë shkatërruar dhe janë arrestuar 178 persona. Është përmirësuar po ashtu, dukshëm edhe siguria, rendi dhe qetësia publike në krahasim me vitin 2014. Trendi i rezultateve shihet në faktin se numri i vrasjeve në Kosovë është zvogëluar për 28.57 për qind, në krahasim me vitin 2014, numri i vjedhjeve është në rënie për 22.72 për qind ose rreth 23 për qind, numri i vjedhjeve të rënda po ashtu është në rënie për rreth 22 për qind dhe numri i grabitjeve është në rënie për rreth 30 për qind, tha kryeministri.
Sa i përket agjendës evropiane, kryeministri Mustafa tha se janë përmbush tri rekomandime të cilat kanë mbetur në fushën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, që kanë të bëjnë me ndryshimin e emrit personal, lidhur me Fondin për Integrim dhe në lidhje me statusin e azilkërkuesve.
Është përgatitur Plani Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim dhe janë saktësuar masat legjislative të cilat i përkasin kësaj fushe.
Prioriteti kryesor është drejtuar në parandalimin e ekstremizmit, është drejtuar në ndaljen e migrimit të qytetarëve tanë dhe kemi arritur rezultate të shkëlqyeshme sa i përket ndaljes së migrimit, pas fluksit të migrimit të cilin e kemi pas në fillim të vitit 2015 dhe në fund të vitit 2014. E gjithë kjo është bërë jo në vetëm në saje të punës së Policisë së Kosovës, por është bërë me një bashkëpunim shumë të mirë me shkollat, me shoqërinë civile, me qytetarët, me bashkësitë fetare dhe unë dëshiroj që sot të shfrytëzoj rastin që të falënderoj të gjitha këto subjekte për bashkëpunimin dhe për përkrahjen e tyre në këtë fushë. Dëshiroj që po ashtu edhe njëherë të ripërsëris apelin dhe kërkesën time si kryeministër dhe si Qeveri e Republikës së Kosovës, që asnjë qytetar jonë të mos marrë pjesë në konflikte të jashtme, që të gjithë ata që janë atje të kthehen, natyrisht se kthimi i tyre nënkupton edhe konsekuencat ligjore dhe sociale të cilat do ti kenë këtu, por ne jemi të interesuar ti ruajmë qytetarët tanë, ti integrojmë ata në shoqërinë tonë, të mendojmë për ta dhe për familjet e tyre dhe së bashku të ndërtojmë një shoqëri e cila është orientuar kah perëndimi, është e orientuar kah paqja dhe është e orientuar kah stabiliteti. Ju e dini se vitin e kaluar janë marrë shumë masa sa i përket ndaljes së migrimit të qytetarëve tanë, janë hetuar disa raste së bashku me Europolin dhe EuroJustin. Janë arrestuar 78 persona dhe janë adresuar përgjegjësit lidhur me ndërhyrjet e njerëzve dhe përfitimet e njerëzve nga proceset e migrimit dhe proceset të cilat i kanë kushtuar politikisht Kosovës dhe iu kanë kushtuar familjeve dhe po na kushtojnë akoma, sepse tani po bëjmë përpjekje maksimale që ti rikthejmë qytetarët tanë që janë shpërngulur në fillim të vitit të kaluar dhe kemi arritur që deri më tani ti riintegrojmë rreth 20 mijë persona nga ata, tha kryeministri Mustafa.
Në fund, kryeministri Isa Mustafa, ka përgëzuar Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës për punën shumë të rëndësishme dhe të suksesshme.
Po ashtu të siguroj qytetarët e Kosovës se vlerësimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë se qytetarët janë të sigurt, se ata po bëjnë punën e tyre dhe se kërkojnë që të kemi një bashkëpunim sa më të ngushtë me ta në mënyrë që bashkërisht të ndërtojmë një vend të sigurt, një vend të paqes dhe një vend me orientime evropiane dhe euroatlantike, tha kryeministri Mustafa.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, e ka njoftuar kryeministrin me punët dhe rezultatet e MPB-së dhe Policisë së Kosovës e departamenteve përkatëse për të vënë nën kontroll, për të luftuar dhe për të trajtuar çështjen e ekstremizmit të dhunshëm.
Ministri tha se gjatë takimit, është trajtuar gjendja e përgjithshme e sigurisë në vend, duke vendosur theksin te ekstremizmi, radikalizmi dhe terrorizmi përballë dhe në kontekst të ngjarjeve tragjike të ditëve të fundit në Evropë, sidomos në Bruksel.
Kosova mburret sot në botë kur thekson që jemi pothuaj në fund të muajit të tetë që nuk kemi shënuar asnjë rast të shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në vatrat e konfliktit dhe kjo ka ardhur si rezultat i punës së madhe që është bërë në periudhat paraprake, qoftë në fushatat e vetëdijesimit, qoftë hartimi dhe aplikimi, përkatësisht zbatimi i strategjive nacionale në këto tema, tha ministri Hyseni.
Sipas raporteve të fundit, ministri Hyseni, tha se në vatrat e krizës mund të ketë rreth 70 qytetarë të Kosovës, përfshirë këtu edhe ata që kanë shtetësi të dyfishtë. Mos të harrojmë këtë, se ka qytetarë të Kosovës që kanë shtetësi edhe të ndonjë vendi tjetër dhe që janë regjistruar në vatra të krizës. Ndonjëherë, për fat të keq, ata sjellin me vete edhe anëtarë të familjes sidomos gra dhe fëmijë, e në të shumtën e rasteve kjo bëhet kundër vullnetit të tyre, tha ministri Hyseni, duke falënderuar kryeministrin për përkrahjen e pakursyer që i jep Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Kosovës, në të gjitha rrafshet.
Më tej, ministri tha se institucionet përkatëse po bëjnë përpjekje maksimale që Kosova të mos preket nga sulmet terroriste.
E themi me mburrje që Kosova, ndonëse jemi të vetëdijshëm se nuk mund të jetë imun, mund të preket nga kjo e keqe globale, jemi duke bërë përpjekje maksimale që kjo të mos ndodhë, tha ministri Hyseni.