Për 3 muaj policia shqipton 3610 gjoba
Prishtinë, 4 maj - Si vazhdimësi e angazhimeve dhe planeve policore, nga data 1 Maj Policia e Kosovës ka filluar implementimin e planit konkret të quajtur Java e Sigurisë në komunikacionin rrugor me zero (0) tolerancë ndaj shkelësve të ligjit.
Ky angazhim i pandërprerë i Policisë ka të vetmin qëllim ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, ruajtjen e jetës së qytetarëve si pjesëmarrës në trafik, parandalimin e të gjitha llojeve të aksidenteve, e në veçanti të atyre me pasoja fatale.
Policia e Kosovës me njësitet e saj ka marrë masa me kohë për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore, si në rrugët urbane po ashtu edhe në ato rajonale, ku ka caktuar njësi policore të komunikacionit rrugor të cilat do të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme dhe do të kenë zero tolerancë ndaj shkelësve të ligjit.
Policia e Kosovës nuk ka për qëllim ndëshkimin e qytetarëve, por ka për qëllim ngritjen e nivelit më të lartë të sigurisë në trafik, andaj kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, duke përfshirë këmbësorët, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe tu përshtaten kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike gjatë ngasjes së automjeteve.
Me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, Policia e Kosovës vazhdon të apeloj tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe gjithë pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.
Në të kundërtën Policia e Kosovës njofton të gjithë qytetarët, opinionin e gjerë se do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, duke përfshirë edhe këmbësorët, me të vetmin qëllim pra, ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, parandalimin e aksidenteve, e në veçanti të atyre me pasoja fatale, pasi që shifrat e aksidenteve të tilla janë shqetësuese dhe shumë brengosëse edhe për vetë Policinë e Kosovës.
Nga fillimi i implementimit të planit Java e sigurisë në trafik, Policia e Kosovës ka qenë më rigoroze (jo tolerante) në shqiptimin e gjobave për kundërvajtësit në trafik.
Me 01 maj 2014 në gjithë territorin e Kosovës janë shqiptuar 1.238 gjoba.
Me 02 maj 2014 në gjithë territorin e Kosovës janë shqiptuar 1.331 gjoba.
Me 03 maj 2014 në gjithë territorin e Kosovës janë shqiptuar 1.041 gjoba.