24 Dhjetor 2024

PE i jep mbështetje Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së

Prishtinë, 19 maj - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot një delegacion të Parlamentit Evropian, të kryesuar nga kryetari Eduard Kukan.

Kukan e përgëzoi presidenten për zgjedhjen e saj në krye të vendit dhe e njoftoi atë për fillimin e takimit të katërt ndërparlamentar ndërmjet PE-së dhe Kuvendit të Kosovës.

Ai tha se PE përkrahë procesin e zgjerimit të BE-së dhe perspektivën evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit dhe i jep mbështetje Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së.

Zotëri Kukan tha se Kosova duhet të thellojë procesin e reformave dhe posaçërisht të punojë në ndryshimin e ligjit për zgjedhjet. Ai tha se BE-ja i kushton një rëndësi të veçantë dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian theksuan se i kanë shtuar përpjekjet e tyre për të përshpejtuar procesin e dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe vlerësuan se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë në përmbushjen e obligimeve për fillimin e dialogut për vizat.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e falënderoi delegacionin e Parlamentit Evropian për mbështetjen që i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Kosovës.

Presidentja tha se qëllim i saj është shtyrja përpara e ndryshimeve kushtetuese, posaçërisht të zgjedhjes së presidentit dhe ndryshimi i ligjit zgjedhor. Ajo tha se është e përkushtuar që të punojë me institucionet dhe shoqërinë në fushën e rendit dhe të ligjit, dhe në veçanti në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Presidentja e Republikës së Kosovës tha se është e nevojshme që të konsolidohet prania e BE-së në Kosovë dhe kërkoi heqjen e referencës 1244 për Kosovën, të cilën e ka vënë në përdorim BE-ja, me qëllim të formalizimit të marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

Presidentja Jahjaga tha se është me rëndësi që deri në fund të vitit Kosova të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me BE-në meqë kjo do të ndihmonte në reformat e brendshme.

Ajo tha se Kosova duhet të ketë trajtim të barabartë nga BE-ja sikurse edhe të gjitha vendet e tjera të BE-së dhe vlerësoi se është i nevojshëm pranimi i saj edhe nga vendet e BE-së që nuk e kanë bërë këtë.

Ajo tha se partneriteti Kosovë-BE nënkupton se të dyja palët duhet t’u përmbahen përkushtimeve të tyre.

Presidentja tha se Kosova është e përkushtuar që të përmbushë obligimet e saj me qëllim që të hapet procesi i dialogut për liberalizim të vizave për qytetarët e vendit, duke e kaluar këtë çështje nga rrafshi politik në atë teknik.

Ajo tha se dialogu me Serbinë, duhet t’u shërbejë të dyja palëve që të ecin përpara dhe të vendosin marrëdhënie të mira fqinjësore.

Presidentja Jahjaga theksoi se të gjitha zgjidhjet duhet të jenë në përputhje me Acquis Communitaire dhe me praktikat e standardet evropiane.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)