Pas një sëmundje kronike ndërroi jetë i burgosuri B.K.
Prishtinë, 24 gusht - Dje në orën 9 e 20 minuta, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Istog, është konstatuar se ka ndërruar jetë i burgosuri B. K., i lindur më 25.02.1986 në Prizren.
Bazuar në hetimet e brendshme, të bëra nga drejtoria e Shërbimit Korrektues të Kosovës, B. K. kishte një sëmundje kronike, nga e cila ishte duke u trajtuar rregullisht në Spitalin e Qendrës Korrektuese të Dubravës dhe në bazë të të gjeturave, del se i burgosuri ka vdekur nga vdekja natyrore.
Megjithatë, bazuar në legjislacionin në fuqi, çdo vdekje në burg duhet të hetohet, si rrjedhojë janë informuar organet kompetente dhe është duke u bërë hetimi, ndërsa trupi i pa jete është dërguar për autopsi në Departamentin e Mjekësisë Ligjore.
Sipas rezultateve të autopsisë dhe pas të gjeturave makroskopike, i burgosuri B. K. nuk ka pasur si pasoj vdekjen nga ndonjë traumë, sulm, vrasje apo vetëvrasje dhe shkaku i vdekjes mund të jetë ndonjë sëmundje kronike e më hershme, e cila është zhvilluar gradualisht.
Pas konfirmimit të rezultateve histopatologjike nga laboratori, mund të dihet saktësisht se cila sëmundje apo cilat sëmundje kanë qenë shkak i vdekjes.