Pas arrestimit, Nasim Haradinaj transferohet në Dhoma të Specializuara
Hagë, 26 shtator - Pas arrestimit të tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar Nasim Haradinaju transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës.
Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit Dhomat e Specializuara kanë lëshuar fletarrestim, merret në ndalim.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në, në pajtim me mandatin e vet dhe me legjislacionin e Kosovës. Edhe Policia e Kosovës (PK) dha mbështetje operative për ZPS-në.
Informacioni për datën dhe orën e paraqitjes së parë të Nasim Haradinajt para gjykatësit do të njoftohet më vonë.
Paraqitja e parë do të bëhet në seancë të hapur dhe mund të ndiqet në transmetim me video në Internet https://www.scp-ks.org/sq/transmetim,me pak vonesë në transmetim.