Partia e Drejtësisë dënon ashpër sulmin ndaj nënkryetarit të saj
Prishtinë, 5 maj - Partia e Drejtësisë dënon ashpër veprimet e sotme të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët ushtruan dhunë fizike ndaj nënkryetarit të kësaj partie dhe njëherit Këshilltarit Politik në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor z. Qeram Telqiu, që ishte duke hyrë në objektin qeveritar.
Partia e Drejtësisë shpreh bindjen se dhuna ne asnjë mënyrë dhe nga askush nuk guxon të përdorët si formë e veprimit politik, e më se paku nga aktivistët e subjektit politik që është i përfaqësuar në organin më të lartë ligjvënës të vendit.
Qeram Telqiu është veprimtar i kamotshëm i kauzës kombëtare, ish i burgosur politik nga regjimi serb, një nga themeluesit dhe nënkryetar i Partisë së Drejtësisë i cili tërë jetën e tij ia ka kushtuar formimit të shtetit dhe ndërtimit te tij duke vazhduar të angazhohet me të njëjtën vendosmëri për ruajtjen dhe përparimin e institucioneve shtetërore.
Partia e Drejtësisë është e bindur se vetëm rruga e drejtësisë, paqes, mirëkuptimit, dialogut konstruktiv politik dhe e tolerancës është rruga e një perspektive të sigurt të Kosovës.