Parashikohen tërmete në Kosove, por jo katastrofikë
Prishtinë, 11 mars - Në Kosovë nuk do të ketë termet me pasoja katastrofike i ka thënë Radio Dukagjinit, Slavica Radovanovic, drejtoreshë e Institutit Sizmologjik të Republikës së Serbisë e cila ditë më parë kishte paralajmëruar se në Rrafshin e Dukagjinit po akumulohet energji sizmike.
Paralajmërimet që ka bërë Instituti Sizmologjik i Republikës së Serbisë për akumulim të energjisë sizmike sipas drejtoreshës së këtij Instituti, Slavica Radovanovic mbështeten në kërkimet që janë kryer brenda disa viteve. Sipas saj këto paralajmërime janë hiperbolizuar nga mediat. Radovanovic heq dilemat se në Rrafshin e Dukagjinit mund të ndodhin tërmete katastrofike.
Do të thotë nuk duhet tepruar, nuk parashikohet ndonjë katastrofë si po i shohim tani nëpër vise të botës, asgjë të tillë nuk parashikojmë, do të thotë se në Dukagjin nuk mund të ndodhin tërmete me pasoja katastrofike.
Slavica Radovanovic, drejtoreshë e Institutit Sizmologjik të Republikës së Serbisë përmend tërmetin e vitit 1962 në Pejë i cili pati rrënuar një minare. Bazuar në këtë, tërmeti i atëhershëm ishte dhjetë herë më i fuqishëm sesa ai që ndodhi dje në rajonin e Pejës dhe afërsi të Istogut thotë ajo.
Zonja Radovanovic thotë se matjet do të vazhdojnë dhe më vonë mund të konkludohet nëse tërmeti që ndodhi sot ishte ai kryesori për të cilin Instituti që ajo drejton kishte paralajmëruar.
Bazuar në matjet që do ti bëjmë në vazhdim do të mund ta parashikojmë se a ishte ky tërmeti kryesor që është pritur apo mund të ketë edhe një tërmet diç më i fuqishëm, ka deklaruar ajo.
Sipas rrjetit sizmologjik të Kosovës tërmeti dje ne Kosove kishte epiqendër gjashtë kilometra në juglindje të Istogut ishte me magnitudë 5.2 i shkallës Rihterit.