Parandalimi i ekstremizmit dhe terrorizmit prioritet i Qeverisë
Prishtinë, 18 janar - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën e donatorëve lidhur me zbatimin e Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.
Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa theksoi se Qeveria e Kosovës e ka prioritet parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit që qon në terrorizëm.
Konsideroj se aktiviteti ynë në parandalimin e ekstremizmit dhe dhunës që qon në terrorizëm është një prej prioriteteve të cilin ne si Qeveri e Republikës së Kosovës, por edhe si Kosovë duhet ta zhvillojmë.\"
\"Duhet ta zhvillojmë bashkërisht sepse me rastin e aprovimit të Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, për periudhën 2015-2020, ne kemi vlerësuar se sikurse radikalizmi ashtu edhe terrorizmi nuk janë çështje të cilat mbërthehen vetëm në një vend, në një regjion, në një kontinent, por kapërcejnë këta kufij. Prandaj edhe lufta dhe aleanca kundër këtyre dukurive duhet të jetë globale.\"
\"Kosova vlerëson se është një vend i vogël, por po ashtu vlerëson se e ka përgjegjësinë e vet në këtë luftë të përbashkët të cilën ne duhet ta zhvillojmë me vendet e tjera, sepse pasojat nga terrorizmi janë shumë të mëdha, janë afatgjate dhe kërkojnë domosdoshmërisht një aleancë të përbashkët që ne ato ti tejkalojmë dhe të luftojmë kundër tyre, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri Isa Mustafa theksoi se në suaza të Qeverisë me planin e punës që është bërë me objektiva konkrete, janë përcaktuar edhe bashkërenditja dhe koordinimi i aktiviteteve kundër terrorizmit dhe radikalizmit.
Kemi vlerësuar se këto aktivitete duhet ti zhvillojmë së bashku me ju, së bashku me shoqërinë civile, së bashku me njerëzit të cilët punojnë në arsim dhe edukim, dhe me bashkësitë fetare. Në hartimin e Strategjisë kemi pas një mbështetje të konsiderueshme të të gjitha këtyre subjekteve, dhe ne vlerësojmë se një mbështetje të tillë do ta kemi edhe në sendërtimin, përkatësisht implementimin e kësaj Strategjie, tha kryeministri.
Duke folur për angazhimet e Qeverisë së Kosovës, në veçanti të këshilltarit politik për çështje të sigurisë, Edon Myftari, kryeministri Mustafa theksoi se në këtë rrugë nuk është e mjaftueshme vetëm bashkërenditja, por është i nevojshëm një bashkëpunim shumë i gjerë.
Strategjia jonë definon disa faza të punës, të cilat ne duhet të angazhohemi veçmas në parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit. Ky parandalim kërkon masa të ndryshme edhe në fushën e arsimit, në mënyrë që njerëzit në shkolla të edukohen në formën e atillë që mos të orientohen në mënyrë të dhunshme.\"
\"Kërkon masë edhe në fushën e ekonomisë, në mënyrë që atyre tiu sigurohet punësimi dhe mirëqenia, dhe kjo mos të jetë shkas i bashkimit me grupe të ndryshme. Kërkon po ashtu edhe masa të riedukimit të atyre që kanë qenë në fronte të ndryshme dhe kthehen, sepse paraqesin rrezik të veçantë për vendin, dhe ne duhet të punojmë bashkërisht se si ata ti riintegrojmë, por natyrisht edhe organet e drejtësisë duhet të punojnë me masa të caktuara, tha kryeministri.
Në fund, kryeministri Isa Mustafa deklaroi edhe njëherë që qytetarët e Kosovës janë të orientuar krejtësisht drejt vlerave amerikane dhe vlerave evropiane.
Qytetarë tanë janë të orientuar krejtësisht në mënyrë pro evropiane dhe pro amerikane, kanë pranuar vlerat e demokracisë evropiane dhe amerikane, por natyrisht që edhe aktiviteti jonë që të punojmë me ta, kërkon që të jemi bashkërisht, theksoi kryeministri Isa Mustafa.