Paraburgim për veprën vrasje në tentativë dhe posedim i paautorizuar i armëve
Prizren, 12 janar – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtari i procedurës – Skender Çoçaj, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 10.01.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 10.02.2022, ndaj të pandehurit L.V., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vrasja në tentativë nga neni 172 e lidhur me nenin 28 par.2 të KPRK-së dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:
- Me datë 10 janar, në orët e mesditës, në Prizren, i pandehuri L.V:, tenton ta privojë nga jeta të dëmtuarin B.G., në atë mënyrë që derisa viktima ishte në automjetin e tij së bashku me familjarë, si rezultat i ngarkesës së trafikut rrugor ishte krijuar kolonë e veturave, i dëmtuari pasi që ishte i rreshtuar pas veturës së të pandehurit i bie borisë disa herë për ta sinjalizuar të pandehurin që të lëvizë dhe ta lirojë rrugën dhe në atë moment në fjalosje e sipër, i pandehuri nga automjeti i tij, e merr një pistoletë në dorë dhe kthehet tek vetura e të dëmtuarit dhe pas shkëmbimit të serishëm të disa fjalëve, fillimisht me dorezën e pistoletës e godet të dëmtuarin B.G., në kokë, me ç ’rast i dëmtuari B.G., i vërsulet të pandehurit L.V., duke tentuar t’ia tërheq pistoletën nga dora dhe në atë moment i pandehuri shkrep një herë me pistoletë duke e plagosur viktimën në këmbën e tij të majtë, derisa viktima, ndonëse i plagosur, vazhdon t’ia mbajë duart të njëjtit për të mos shkrepur edhe më tej, derisa policia ka arritur në vendin e ngjarjes, me ç ’rast edhe e arrestojnë të pandehurin, ndërsa viktima si rezultat i armës së zjarrit ka pësuar lëndime trupore në kokë dhe në këmbën e tij të majtë.
Me datë, kohë dhe vend te njëjtë të përshkruar si më lartë i pandehuri L.V., mban në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar armën e zjarrit në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët e tilla, ashtu që me të arritur policia në vendin e ngjarjes të njëjtit ia gjejnë: një pistoletë me ngjyrë të zezë me mbishkrimin ‘’Astra UNCETA CIA S.A Gverina Spain Mod-A-80’’, me nr. serik: 70927 me një karikator dhe 11 fishekë të kalibrit 9mm, e cila edhe i është sekuestruar nga ana e policisë
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e veprave penale të cilat janë të natyrës së rëndë, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale ku i pandehuri L.V. gjuan me armë në vend publik, si dhe për shkak të dënimeve që parashikohen për këto vepra penale ka rrezik të ikjes së të pandehurit apo fshehjes së tij në ndonjë vend të panjohur nga organet e ndjekjes penale.
Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, pasi që Gjykata ka vlerësuar edhe karakteristikat personale të të pandehurit L.V., nga sjellja e mëparshme e tij i njëjti është i regjistruar edhe si kryerës i shumëfishtë i veprave tjera penale kryesisht vepra penale të dhunës, andaj caktimi i paraburgimit sipas kësaj baze është më i arsyeshëm dhe ka për qëllim parandalimin e përsëritjes së ndonjë vepre tjetër penale.
Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.