Paraburgim ndaj të dyshuarit për falsifikim të parave
Ferizaj, 11 shkurt - Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.K. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale falsifikimi i parave nga neni 296 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Mustaf Tahiri, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 23 Janar 2021, në Shtime ka vënë në qarkullim para të falsifikuara si të vërteta, duke e ditur se janë të falsifikuara, në atë mënyrë që ka pranuar 2.500 dollarë nga një person tani i panjohur, me të cilin janë marrë vesh që t’i këmbej në euro për një shpërblim prej 100 euro, pastaj me këtë person kanë ardhur me veturë deri në Shtime, me ç'rast i pandehuri ka hyrë në lokalin "Aral Këmbimore", e cila gjendet në objektin e pikës së karburantit me të njëjtin emër, ku ka dorëzuar 50 bankënota në vlerë me nga 50 USD Dollarë Amerikan të falsifikuara , për ti këmbyer në euro, me ç'rast i dëmtuari J.R. i ka dhënë 2037.50 euro, e pastaj është larguar në drejtim të panjohur.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.